Diplomojnë 51 studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike

24 qershor 2022 | 12:35

Është mbajtur të premten ceremonia e diplomimit të gjeneratës së pestë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku kanë diplomuar 51 studentë prej të gjitha agjencive të sigurisë publike.

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Edward Anderson.

Me këtë rast, ministri Sveçla ka thënë se kjo gjeneratë duhet që diturinë e përfituar, ta përdorë për të rritur vigjilencën në sigurinë e vendit pasi që Serbia është renditur krah Rusisë.

“Ju lus të mos ndaleni së punuari për më shumë dituri në fushën tuaj. Në të kaluarën siguria jonë është cenuar shpesh, andaj dituria juaj do të përdoret për të rritur sigurinë e vendit tonë. Ju duhet të bëheni vigjilentë. Serbia është renditur krah Rusisë dhe jemi duke u treguar vigjilentë e të përgatitur”, ka thënë Sveçla.

Ndërsa ministrja Albulena Haxhiu, ka deklaruar se shtetit tonë po i shtohet një gjeneratë e re, e cila do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e vendit

“Periudha për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por pavarësisht sfidave ju keni arritur deri këtu. Jam e lumtur që shtetit tonë po i shtohen gjenerata të reja për të rritur sigurinë e vendit në të cilën po kalojmë ashtu siç e tha edhe ministri Sveçla. Ju lutem që t’i shërbeni qytetarëve me përkushtim profesional, sepse këtë e kërkon vendi ynë”, ka thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, Samedin Mehmeti, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se duhet të kujdesemi si mbrojtës të institucioneve të vendit që askush të mos jetë mbi ligjin.

Më tutje, zëvendësdrejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Kastriot Jashari, ka thënë se ky institucion ka qenë gjithmonë tempull i dijës për fushën e sigurisë.

Kurse dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi, ka thënë se të studentët e diplomuar janë përgatitur me standardet më të larta shkencore dhe akademike.

Në këtë ceremoni janë certifikuar edhe dy studentë të cilët kanë qenë më të dalluarit gjatë studimeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…