Diplomojnë studentet e para në Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit
Në Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, në programin e Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve, sot kanë diplomuar dy studentet e para të këtij programi, prej se ky institucion i arsimit të lartë ka marrë statusin e universitetit.
E lumtur për faktin se është e diplomuara e parë e këtij Fakulteti, Florijeta Beqiri tha se dita e diplomimit të saj, është dita më e gëzueshme, por brenda lumturisë së saj përmendi se ka pasur edhe emocione dhe stres.
Po ashtu, ajo falënderon mentorin e temës, prof. Florit Hoxha, për ndihmën e pakursyer gjatë studimeve dhe ndihet e nderuar që kishte një profesorë të tillë me shumë vlera dhe shembull për të tjerët.
“Me profesionin që kam zgjedhur dhe ku u diplomova, pres të punësohem shumë shpejt. UShAF është universiteti më i mirë, sepse ka një staf të mrekullueshëm akademik dhe administrativ. Gjatë studimeve kam mësuar shumë gjëra të reja, kam krijuar rreth shoqëror shumë të mirë, e po ashtu, ishte nderë i madh për mua që kam qenë edhe pjesë e Parlamentit Studentor dhe anëtare e Këshillit Mësimor të Universitetit, ku më është dhënë mundësia që të kontribuoj në mirëqenien e studentëve të UShAF”, ka thënë Beqiri.
Ndërsa, e diplomuara tjetër, Anduela Kasumaj shprehet e lumtur për faktin se është një nga të diplomuarat e para që ka marrë titullin Arkitekte e Interierit.
Ajo falënderon stafin akademik, e në veçanti mentorin e temës së saj, prof. Rrahim Sejdiu, për mbështetjen, këshillat dhe ndihmën për të arritur synimin.
“Përgjatë udhëtimit tim tre vjeçar në studime, kam pasur mundësi të jem pjesë e sukseseve të shumta të Universitetit dhe për këtë jam shumë e lumtur. Falë përkrahjes së vazhdueshme nga stafi akademik dhe falë realizimit të praktikave të shumta gjatë studimeve, kemi arritur të përvetësojmë përvoja të jashtëzakonshme profesionale, të cilat do të na ndihmojnë të jemi më të përgatitur si arkitektë dhe dizajnerë të denjë për tregun e punës”, u shpreh Kasumaj, ndërsa u shpreh e lumtur që tani do të ketë mundësinë të vazhdojë edhe nivelin master në UShAF.
/Epoka e re/