Dirks: Kosovës i nevojitet një burim stabil i gjenerimit të energjisë elektrike
Eksperti amerikan i energjisë, profesor në Universitetin e Arizonës (Arizona State University), Gary Dirks, i cili tashmë është angazhuar në bordin këshillëdhënës për sektorin privat në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ambienti i të bërit biznes në Kosovë ka shënuar përparim dhe nuk është risku i njëjtë për investitorët e huaj siç ishte para pesë apo gjashtë vjetësh.
“Mendoj se në vendin tuaj të rinjtë, forca rinore dhe dinamizmi i tyre për punë janë përparësi krahasuese. Edhe pse keni kaluar nëpër sfida të ndryshme politike, tani vendi juaj është stabil dhe risku politik për të investuar tani në Kosovë është shumë më i vogël se para pesë apo gjashtë vjetëve. Po ashtu, në sistemin e edukimit keni të rinj që janë duke u shkolluar jashtë dhe që përbën potencial për Kosovën absorbim i njohurive të tyre. Në aspektin afatmesëm, në kuptim të tregut, keni mundësi të keni oferta atraktive dhe produktive, pra keni avancime edhe në pjesën e IT-së. Përparësi tjetër që mund ta keni është dhe riciklimi që mund të jetë indicie për hyrje të firmave të mëdha në tregun tuaj. I përmenda këto vetëm si disa shembuj që mund ta nxisin aktivitetin e firmave të huaja për të investuar në Kosovë”, ka thënë Dirks.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, marrëveshje kjo e cila u nënshkrua më 20 dhjetor të vitit 2017 nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Countur Global”, Joseph Brandt.
Dirks ka thënë se do të ishte jomençuri për Kosovën që mos ta trajtojë seriozisht këtë marrëveshje por, sipas tij, duhet të rishikohen kushtet kontraktuale.
“Do të ishte e pamençur për Kosovën që mos ta konsideronte serioz këtë projekt të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e re’. Normalisht se Kosovës i nevojitet një burim stabil i gjenerimit të energjisë elektrike, por duhet të keni kushte të favorshme, pra pjesët kontraktuale të jenë të favorshme, si kostoja e ndërtimit, kostoja e financimit dhe gjithçka që ndërlidhet me ndërtimin e këtij termocentrali që janë të përballueshme për ju”, është shprehur ai.
Në këtë bisedë për gazetën “Epoka e re”, Dirks ka folur edhe për marrëdhëniet ekonomike të Kosovës me Serbinë, për të cilën gjë ka thënë se nga barrierat ekonomike nuk përfiton askush.
“Edhe pse nuk jam ekspert i marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, më lejoni të jap një deklaratë të përgjithshme. Një gjë duhet ta keni të qartë, se askush nuk përfiton nga luftërat tregtare. Shikoni çfarë po ndodhë me tarifat në mes të ShBA-së dhe Kinës, pastaj mes Meksikës dhe Evropës. Çdokush lëndohet nga tarifat. Mendoj se ka mënyra të tjera për t’i arritur objektivat sesa të përdorni masa ndëshkimore ekonomike”, ka deklaruar Dirks.
(Albulena S. MAVRAJ)