Disa faqe të internetit, përkohësisht jashtë funksionit
Disa faqe të internetit në të gjithë botën ishin të martën përkohësisht jashtë funksionit.
Media të mëdha, si: “BBC”, “Financial Times”, “Guardian”, “New York Times”, “Bloomberg”, “CNN” dhe “Le Monde”, kanë njoftuar se ueb-faqet e tyre nuk punonin.
Probleme ka raportuar edhe ueb-faqja e shitjeve online “Amazon.com” dhe ueb-faqja e qeverisë britanike “gov.uk”.
Të gjitha prej tyre më vonë janë rikthyer në funksion.
Ueb-faqet e prekura shfaqnin mesazhin: “Error 503 Service Unavailable” (Gabimi 503, shërbimi nuk është në dispozicion).
Raportet e hershme sugjeruan se ndërprerjet mund të kishin lidhje me ofruesin e shërbimeve Fastly, i cili përforcon shumë faqe të mëdha në internet.
Fastly ka thënë se është duke hetuar problemin me rrjetin global të shpërndarjes së përmbajtjes.