Disa fshatra të Podujevës përfshihen nga zjarret
Ditëve të fundit disa sipërfaqe me pyje në disa fshatra të Komunës së Podujevës janë përfshirë nga zjarret.
Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu bashkë me zyrtarë të kësaj drejtorie kanë dalë në terren për të parë gjendjen nga afër.
Ai ka thënë se komuna është në koordinim të vazhdueshëm me ekipet e zjarrfikësve, të cilët po bëjnë përpjekje maksimale për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Salihu ka thënë se lokalizimin e zjarrit po e vështirëson era e fortë që po frynë, e cila po përshpejton përhapjen e zjarrit. Zona më e prekur nga zjarri është fshati Reqicë, vendi i quajtur Lluqefc, si dhe Kërrshi i Uglarit me rreth 15 hektarë dhe zonat përreth. Drejtori Salihu ka bërë apel te të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës që të jenë më të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit si dhe të lajmërojnë institucionet relevante në rast se shohin zjarr në pyje.