Disa gjyqtarë nisen për vizitë në Amerikë, ky është mesazhi i Hovenierit
Ambasada amerikane në Prishtinë ka njoftuar se disa profesionistë të gjyqësorit të Kosovës do të qëndrojnë për një vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Urimet më të mira për këta profesionistë të përkushtuar nga gjyqësori i Kosovës, ndërsa nisen për një vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara, ku do të takohen me homologët amerikanë dhe do të eksplorojnë praktikat e ShBA-së për menaxhim efektiv të rasteve dhe gjykimeve. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me Kosovën për të forcuar sundimin e ligjit, një prioritet kyç për misionin”, është thënë në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së..
Udhëtim të sigurt atyre iu ka uruar edhe ambasadori Jeffrey Hovenier.
“Udhëtim të sigurt për këtë grup të gjyqtarëve kosovarë, të cilët nisen për në Shtetet e Bashkuara. Ekipi ynë i Ambasadës amerikane është i përkushtuar për thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit tonë për çështjet e sundimit të ligjit në Kosovë. Kosova ka sukses kur të gjithë qytetarët dhe institucionet respektojnë sundimin e ligjit”, citohet të ketë thënë Hovenieri.