Disa karakteristika të zgjedhjeve të djeshme
Faton Abdullahu
1) Dje shumica e qytetarëve të Kosovës shprehën mosbesimin për një model qeverisje në pretendim që, nga Qendra të zhvendoset edhe poshtë në komuna. Me votën e tyre, të shpeshtën pavarësisht rreshtimeve partiake, ata ndërtuan barrierë që fryma populiste të mos shtrihet tutje në bazë. Koncepti populist ‘Qe 20 vite e keni shkatërru këtë vend’ morri flakaresh në mënyrën më bindëse – me vota.
2) Fituesja më e madhe edhe kësaj here ishte demokracia në Kosovë e ndërtuar me shumë mund, djersë e punë e mohuar neveritshëm për kohë të gjatë. Dëshmi e palëkundur për këtë është organizimi i zgjedhjeve për të satën herë me standarde më të larta demokratike. Krenar që për këtë arritje kapitale të vendit tonë, sidomos në decenien e fundit, PDK është gjithsesi më meritorja, natyrisht edhe me subjekte e shumë institucione tjera.
3) PDK është fituesja më e madhe në vend në këto zgjedhje me nëntë komuna, disa nga të cilat më të mëdhatë e më të rëndësishmet në shumë aspekte në Kosovë. Jo vetëm për PDK-në kjo është nismë jetike dhe shumë inkurajuese për të vazhduar tutje proceset e filluara për ndryshim.
4) Në këto zgjedhje komunale, për PDK-në vendimi më i mençur dhe më pragmatik ka qenë decentralizimi i vendimmarrjes për zgjedhjet komunale që ka faktorizuar degët e PDK-së në komuna dhe determinuar zgjedhjen e kandidatëve më të mirë për garë. Ky ka qenë vendimi më i rëndësishëm i qendrës, pra i Kryesisë së re të PDK-së dhe sidomos i Kryetarit Memli Krasniqi.
5) Përzgjedhja e kandidatëve të PDK-së është bërë në mënyrë shumë konstruktive. PDK-ja as si qendër as si degë, asnjëherë nuk ka rënë nën trysnin e akuzave, shantazheve dhe degradimeve të LV dhe të tjerëve në adresë të saj dhe kandidatëve të saj për të bërë përzgjedhje ndryshe. Ajo këtë e ka bërë nën vlerësimin esull e real të performancës së secilit kandidat dhe respektin që këta kandidatë gëzonin nga qytetarët e komunave përkatëse. Po të ishte ndryshe rezultati nuk do të ishte ky që doli për PDK-në.
6) Drenasi ishte pjesa më e ndjeshme dhe më kontroverse gjatë këtyre zgjedhjeve. Pos tjerash, problemi atje morri edhe dimension të ndërlikuar sepse Drenasi nuk është veç një komunë, por është edhe një pjesë kruciale e identitetit të PDK-së që u prek ndjeshëm me mospajtime të trashëguara. Vendimi, para se gjithash shumë i guximshëm i Kryetarit të PDK-së z. Krasniqi për ta zgjedhur këtë problem ashtu sikundër e zgjodhi,e shtynë z. Krasniqi një hap të madh përpara, për të qenë jo veç Kryetar, por edhe lider i kësaj partie.
7) Z. Totaj me fitoren në Prizren dëshmoj se alternativa e tij politike si PDK e ndërtuar në opozitë tash sa kohë është më e mirë, më pragmatike dhe më bindëse sesa mendësia qeverisëse e ofruar në praktikë tash sa vite e LV-ë. Totaj i PDK-së në Prizren e demaskoj praktikën e ndërtuar me fjalë të mira e zbatuar me punë të këqija.
8) Më e keqja do të ishte që,vetëkënaqja nga fitorja në PDK të determinoj amortizimin e nevojës së pashmangshme për vazhdimin e ndryshimeve. Më e keqja do të ishte gjithashtu që PDK-ja tani, të mendoj deri në bindje se, ajo ka pësuar humbje dhe ka dal në opozitë, jo për shkak të gabimeve të saja të djeshme por për shkak të gënjeshtrave të tashsakohshme të LV -së dhe partive tjera kundër saj. Gjetja e balancit dhe e të vërtetës në këtë segment, është shtytja më pragmatike për të vazhduar ndryshimet.
9) Në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhje, jo vetëm tërthorazi, kanë ndikuar edhe gjëra të tjera, që nuk kanë të bëjnë asgjë me natyrën e punëve në komuna, por që janë politika, qasje e praktika të qeverisjes aktuale në nivel qendror të vendit. Disa nga ato gjithsesi janë, menaxhimi i keq i pandemisë, rritja e çmimeve të artikujve bazik ushqimor, shumë miliona euro për të paguar rrymën e serbëve në veri, arrogancë anashkaluese e politikbërjes në raport me opozitën, dhe gjithsesi mosftesa në Samitin për Demokraci dhe mospajtimet me ShBA-t mbi gazin në Ballkan, etj etj.