Disa këshilla Rexhep Qosjes, disa pyetje të tjerëve

07 shkurt 2024 | 22:13

Berat Armagedoni

Profesor,

Ditë më parë kam marrë vesh se të kanë propozuar për çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli” të MKRS-së. Në dash fatkeqësisht, në dash fatmirësisht, ky çmim sivjet i është dhënë tjetërkujt. Se kujt, do ta marrësh vesh pas pak ditësh. Po të më pyesje më parë, do të thosha, thuaju, mos më propozoni. Po të merrja vesh një javë më parë kush e tek është aty, do të thosha, thuaju, tërhiqeni propozimin. E di që këtë çmim s’e ke marrë asnjëherë sepse nuk të kanë propozuar asnjëherë dhe, mbase, meqë ke pranuar të propozohesh, edhe ke pasur dëshirë të ta japin. Tekefundit, ai çmim, meqë u është dhënë edhe disave që s’e kanë merituar ndër vite, nuk do të bënte nder ty. E ato pesë mijë euro, ndoshta, do të duheshin në këtë kohë.

E di se e di, po ashtu, se çmimet nuk të bëjnë shkrimtar më të mirë dhe më të njohur sesa që je. E di që Nobelin nuk do t’ua jepje gjysmës së laureatëve. Megjithatë, atyre që s’do t’ua jepje ti, që s’do t’ua jepja as unë, u është dhënë. Dhe, nganjëherë, kur lexojmë veprat e tyre, kur kapim edhe darët në dorë për të gjetur sall një vlerë brenda tyre, nuk gjejmë gjë të hairit (gjë të mirë). Na kanë zhgënjyer, na zhgënjejnë dhe do të na zhgënjejnë. Po, sepse, çmimet rrallëherë jepen në bazë të meritës e të meritave. Ti e di këtë punë më mirë se unë. Por, fatmirësisht, në Kosovë, edhe në gjithë historinë e letërsisë shqiptare, në gjithë horizontin dhe zhanret e saj, ke bërë emër të madh dhe të çmueshëm. Fatkeqësisht, sa ke pasur nam brenda, sa ke pasur ndikim këtu, nuk ke jehuar jashtë Kosovës për shkak se ke qenë edhe i ashpër ndaj të pavlerëve, edhe i papropozuar për përkthime. Me “Morfologjinë…” i ke sakatuar disa, me të tjerat i ke gjunjëzuar shumësa. Ky është çmimi që ti paguan sot.

Më tutje, në kohën kur shkruaje ti agjent për përkthim të veprave nuk kishe. Nuk ke as sot. Por, aq sa ke shkruar, aq sa ke kontribuar për historinë e letërsisë dhe për letërsinë shqipe, mbase, s’do të mund të kontribuojë kush më! Ke hapur shtigje të reja për breza të rinj. Kudo tjetër që të jetoje, kudo tjetër që do të kontribuoje sa ke kontribuuar mes nesh në fushën e albanologjisë, do të jepnin çdo çmim.

Ka kohë që kontributet në vendin tonë nuk çmohen. Ka kohë që në vendin tonë çmohet nëpërkizmi. Sa më shumë që i shtrihesh dikujt përtokë, aq më shumë, kurdo që t’i vijë dakiku atij ose asaj, do të çmohesh prej tij dhe prej saj. Meqë nuk i je gjunjëzuar dhe nuk i je shtrirë askujt deri në këtë kohë përtokë, kurrë më mos i trokit në derë MKRS-së për asnjë çmim. Jeto edhe më tutje pa çmimin e saj të karrierës, pa pasur brengën që mund ta kesh sot.

Ke emër të madh, profesor, për të rënë në duar të gjithsekujt. Për t’u nëpërkëmbur, do të thonë nesër ata!

Profesor,

Adem Gashit në vitin 2022, një juri shumë më e mirë sesa e sivjetmja, i dha çmimin “Azem Shkreli”. Ende pa e pranuar këtë çmim, edhe pasi e mori, i pata thënë: edhe njëqind libra të tjerë nëse i shkruan dhe t’i botoj, më nuk të propozoj për asnjë çmim të MKRS-së e të askujt. “Kurrë më nuk do t’i cokas në derë MKRS-së, se e mora tashmë çmimin e karrierës”, më pati premtuar. Megjithatë si Ademi nuk kanë vepruar shumë shkrimtarë të tjerë. Ti e di, se ke mbajtur shënime në ditar, se çmime për vepra letrare, pas marrjes së çmimit të karrierës, kanë marrë disa shkrimtarë pa fije turpi me gjithë atë trup rreth dy metra! Uri të madhe jo për certifikata, por për para kanë pasur dhe kanë. Karrierës nuk ia kanë vënë çelësin ani pse çmimi i karrierës jepet pasi t’ia vësh çelësin kompjuterit, makinës së shkrimit, fletores…

Profesor,

Ka edhe shumë krijues të rinj që, pasi marrin një çmim për studim, për prozë, për poezi, për përkthim, ia mësyjnë sërish MKRS-së për t’ia zhvatur një çmim, për t’ia zhvatur disa para. Shpeshherë u them, atyre që më shumë i duan paratë se nderin, ndaluni bre pak mendoni mos po e teproni. Mos merrni yrysh pas parave, se jeni “certifikuar” njëherë për studime, për romane e tregime, për poezi dhe përkthime. Mos shkruani libra veç për çmime të MKRS-së. Mos përgatitni dorëshkrime për botim vetëm me subvencionim të MKRS-së. Mos i prisni hasret shpalljet dhe konkurset e saj. Çmimet e saj. Shkruani për lexuesit. A nuk ishte dhe a nuk është letërsia kënaqësi? A nuk i zënë ngoje shkrimtarët nis e sos lexuesit sapo nxjerrin nga furra një libër të ri, me shprehje të tillë: Besoj dhe shpresoj se lexuesit do ta presin mirë këtë vepër. Duke vepruar ndryshe, duke ngarë pas çmimeve materiale, po e koritin vetveten. Po dëshmojnë se kanë smirë të madhe. Smirë politikanësh për pasuri të pafundmë. E për fund, le t’i kujtojmë sonte bashkë, për këta njerëz, hakërrimat e Ali Asllanit në poemat e tij.
Natën e mirë!

Shkruar vetëm për gazetën “Epoka e re”

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një turnir i madh me arome shqiptarie pritet të mbahet…