Disa lagje të Prishtinës pa ujë, KRU ‘Prishtina’ tregon arsyet
Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët e disa zonave të larta furnizuese në Prishtinë se për shkak të një defekti në njërën nga tre pompat e rezervuarit të Mirditës në lagjen “Velania”, sot janë pa ujë të pijshëm disa lagje të kryeqytetit.
Kjo kompani ka theksuar se ka vështirësi në mbulueshmërinë me furnizim me ujë në pika të larta, si shkak i konsumit të rritur të ujit në këto temperatura të larta.
Zonat e larta që janë të prekur në furnizim me ujë të pijshëm për shkak të defektit në pompën e rezervuarit të “Mirditës” janë: një pjesë e lagjes “Vreshtat”, “Tasligje 3”, një pjesë e lartë e lagjes “Sofalia”, rruga e “Bledit” dhe pika më e lartë e lagjes “Mati”.
Ekipet e mirëmbajtjes se makinerisë dhe rrjetit të ujësjellësit, tashmë janë duke u marrë me sanimin e defektit në pompë dhe pritet që furnizimi me ujë të pijshëm të rikthehet gjatë orëve të sotme të pasdites.