Disa mësime për dialogun
Shkruan: Valon Murtezaj
Ajnshtajni e ka shikuar orën dhe ka pyetur: Si e dimë sa është ora?
Kur është fjala për dialogun (që në fakt është negocim klasik), nuk është befasuese, për fat të keq, që ende institucionet tona, kanë sjellje reaktive ndaj pozicioneve të palës tjetër. Pas kaq viteve shtet, dhe sidomos pas aq dekadave vuajtjesh, do të duhej të ndodhte e kundërta. Pra, do të duhej të ishte prezente aftësia e gjenerimit të opsioneve paraprirëse të proceseve në çfarëdo tavoline të bisedimeve. Kjo nuk po bëhet ende, dhe nëse ndonjëherë bëhet, ajo bëhet në mënyrë të atypëratyshme, që nënkupton pa përgatitjet e duhura shumë të nevojshme.
Në vend që institucionet e Kosovës të koncentrohen për ta përdorur strategjinë destruktive të qeverisë së Serbisë, kundër aspiratave destruktive të tyre, shpesh ngjan e kundërta.
Në këtë moment, shumë delikat, të gjithë në Kosovë, duhet ta ndërtojnë një kod të përbashkët të sjelljes në raport me dialogun.
Gjëja e parë që duhet të bëhet është: Të dimë çka duam! Pra, të jemi në gjendje t’i japim përgjigjen e duhur pyetjes esenciale: Çka duam ne, në këtë dialog? Kjo ka të bëjë me vlera terminale të Kosovës dhe popullit të saj, që do të thotë, të dimë cilat janë gjërat më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, dhe qytetarin e saj, që duhet nxjerrë, nga ky dialog.
Shpesh, njerëzit që janë të përfshirë në negociata mendojnë që oferta që ofrojnë ata është e vetmja. E vërteta është që, kjo nuk është ashtu. Ka edhe të tjera opsione që mund të jenë zgjidhje të përshtatshme, apo thënë me terma tjerë, opsionet mund të përdoren në mënyra të ndryshme.
Po ashtu, duhet ditur se, udhëheqja dhe menaxhimi i procesit negociator, nuk është të manipuluarit e të tjerëve për të bërë diçka që nuk duhet bërë, apo që të tjerët nuk dëshirojnë ta bëjnë. E njëjta vlen edhe për menaxhimin e ekipit tënd negociator. Këtu kërkohet klimë besimi, ekspertizë reale, dhe lidership me shpirt skuadre.
Ashtu siç njerëzit përgatiten kur duan të shkojnë në luftë, apo kur duan të shkojnë në dasmë, njëjtë është, dhe kur duan të hyjnë në një proces negociator: duhet përgatitur mirë. Sekreti i suksesit në negocim qëndron në përgatitjen paraprake.
Ora është pesë në dymbëdhjetë.