Disa nga ngjarjet kryesore të sportit ndërkombëtar gjatë vitit 2019
Në arenën ndërkombëtare spikat triumfi i Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, por edhe në Superkupë dhe Kupën e Botës për Klube.
Në Formula 1 ligjin po e bën Lews Hamiltoni, kurse Lionel Messi e fitoi për herë të gjashtë “Topin e Artë”.
Fitues të shumtë në tenis
Fitues i Australian Open është shpallur Novak Djokoviq, pasi në finale e mposhti Rafael Nadalin, kurse te femrat Naomi Osaka e mposhti Petra Kvitovan. Serbi Novak Djokoviq është fituesi i turneut Wimbledon, pasi në finale mposhti Roger Federerin, derisa te femrat Simona Halep e mposhti Serena Williams. Rafael Nadali e ka fituar US Openin. Spanjolli në finale triumfoi ndaj rusit Daniil Medvedev, kurse te femrat fituese doli Bianca Andreescu ndaj Williamsit. Në Franch Open, Nadali e mposhti Dominic Thiem, kurse te femrat Ashleigh Barty e mposhti Marketa Vondrousova.
Barça, Juve, City, Bayerni dhe PSG-ja mbrojtën titujt
Barcelona e mbrojti titullin në La Liga pasi përfundoi e para me 87 pikë, i dyti ishte Atletico Madridi me 76, kurse Reali i treti me 68. Edhe Juventusi e mbrojti titullin në Serinë A, duke e mbyllur kampionatin me 90 pikë, kurse Napoli përfundoi i dyti me 79 pikë. Manchester City, pas një gare të fortë me Liverpoolin, arriti që ta mbrojë titullin e kampionit në Premierë Ligë. City u shpall kampion me 98 pikë, kurse Liverpooli përfundoi në vendin e dytë me një pikë më pak. Titullin e mbrojti edhe Bayern Muncheni në Gjermani. Bayerni fitoi ndeshjen e fundit ndaj Franfurtit (5-1) dhe e fitoi me 78 pikë të grumbulluara. Në Francë, Paris Saint-Germain ishte i pakonkurrencë pasi e fitoi titullin shtatë javë para fundit, por në fund kishte një diferencë prej 16 pikësh me skuadrën e Lilles.
Liga e Evropës dominohet nga anglezët, Liverpooli fiton Superkupën dhe Botërorin e Klubeve
Liverpooli arriti ta fitojë Ligën e Kampionëve pasi në finale mposhti Tottenhamin (2-0). Golat i shënuan Mohamed Salah dhe Divock Origi. Ndërsa shqiptari Xherdan Shaqiri për herë të dytë e fitoi titullin e Ligës së Kampionëve. Edhe finalja e Ligës së Evropës ishte në mes të skuadrave angleze, ku fituese doli Chelsea ndaj Arsenalit (4-1). Eden Hazardi shënoi dy gola, kurse nga një e shtuan Giroud dhe Pedro. Për Arsenalin shënoi Iwobi. Ndërsa në finale të Superkupës, Liverpooli triumfoi 7-6 pas penalltive ndaj Chelseat, derisa koha e rregullt kishte përfunduar 1-1. Liverpooli e fitoi edhe Botërorin e Klubeve, pasi e mposhti 1-0 në finale Flamengon.
Pensionimet, rikthimet dhe largimet e papritura në futboll
Gjatë vitit u pensionuan shumë yje të futbollit botëror, por spikasin ajo e Arjen Robbenit, Peter Cechit dhe Andrea Barzaglit. Ndryshe nga këta 41-vjeçar, Gianluigi Buffon u rikthye për ta vazhduar karrierën në Juventus. Në Itali, por te Milani, pritet edhe rikthimi i Zlatan Ibrahimoviqit. Largim i papritur ishte ai i Franck Riberys nga Bayern Munchen, por francezi vendos të mos pensionet e ta vazhdojë karrierën në Fiorentinë. Rikthim bëri edhe Mats Hummels nga Bayerni në Borussia Dortmund. Nga largimet e çuditshme ishte ajo e Daniele De Rossit, i cili pas një karriere të gjashtë u largua nga Roma dhe u transferua te Boca Juniorsi.
Toronto shkruan historinë në NBA
Toronto Raptorsi ka hyrë në histori të NBA-së pasi ia ka dalë të fitojë për herë të parë në histori titullin kampion, duke mposhtur në finale pikërisht kampionin në fuqi, Golden State Warriors, me një bilanc fitoresh 4-2. Në këtë mënyrë u mbyll kampionati më i fortë në botë i basketbollit dhe u thye edhe dominimi i Warriorsit.
Transferimet e vitit në Evropë
Gjatë vitit 2019 janë realizuar shumë transferime të mëdha në Evropë, por ndër kryesoret janë: Eden Hazard nga Chelsea te Real Madridi për 150 milionë euro, Antoine Griezmann nga Atletico Madridi te Barcelona për 120 milionë euro, Frenkie de Jong nga Ajaxi te Barcelona për 75 milionë euro, Harry Maguire nga Leicester City te Manchester Unitedi për 93 milionë euro, Nicolas Pepe nga Lille tek Arsenali për 72 milionë euro, Matthijs de Ligt nga Ajaxi te Juventusi për 75 milionë euro.
Hamiltoni fiton titullin e 6 në Formula 1
Piloti britanik Lewis Hamilton ka qenë i shkëlqyeshëm në Botërorin e Formula 1, ku me plot sukses arriti ta fitojë titullin e gjashtë. Tash Hamiltoni është piloti i dytë me tituj më shumë, kurse ka vetëm një titull më pak se legjenda Michael Schumacher.
Xhakës i hiqet shiriti i kapitenit
Mesfushorit shqiptar Granit Xhaka i është hequr shiriti i kapitenit në ekipin e Arsenalit. Ky vendim i klubit anglez erdhi pasi Xhaka pati një përplasje me tifozët e Arsenalit pas zëvendësimit në ndeshjen me Crystal Palacen. Xhaka i kishte sharë tifozët që e fishkëllenin gjatë largimit nga fusha, kurse më vonë ai u kishte kërkuar falje, por kjo nuk ndikoi që ai të mbetet kapiten.
Shqipëria e pasuksesshme në kualifikueset për Evropian
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, përveçse pati një kampanje dështuese në Ligën e Kombeve, hiq më mirë nuk ka kaluar as në kualifikimet për “Euro 2020”. Drejtuesit e Federatës Shqiptare e shkarkuan Christian Panuccin nga detyra dhe emëruan Edy Rejan, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të arritur sukses. Kuqezinjtë kampanjën kualifikuese e mbyllën në vendin e katërt me 13 pikë.
Messi për herë të gjashtë fiton ‘Topin e Artë’
Ylli i Barcelonës, Leo Messi, është shpallur për herë të gjashtë futbollisti më i mirë në botë. Në garë për “Topin e Artë”, ylli argjentinas e mposhti anëtarin e Liverpoolit, Virgil van Dijk dhe yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldo. Messi këtë çmim e fitoi pas një sezoni të mirë me Barcelonën, ku në 50 ndeshje në të gjitha garat në edicionin 2018/19, shënoi 51 gola dhe dhuroi 22 asistime.
Joshua i hakmerret Ruizit
Boksieri Anthony Joshua ka arritur ta mposhtë Andy Ruizin në kategorinë e peshave të rënda në boks. Britaniku, përveç që i është hakmarrë Ruizit, i ka rikthyer edhe titujt e botës në WBA, WBO, IBF dhe IBO. Joshua ishte mposhtur në qershor, derisa tash arriti fitore pas 12 raundeve me pikë.
Futbollistët shqiptarë që shkëlqyen dhe zhgënjyen
Shumë futbollistë shqiptarë kanë shkëlqyer gjatë vitit 2019. Pa dyshim që në krye është Vedat Muriqi që arriti të transferohet te Fenerbahçe pas një edicioni të shkëlqyeshëm me Rizesporin. Muriqi shkëlqejë edhe me fanellën e Kosovës, kurse krahas tij shkëlqim të madh pati edhe Milot Rashica, i cili është rikthyer në lojtarin kryesor të Werder Bremenit, por edhe ndër më të mirët te Kosova. Hap të madh në karrierë bëri edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili është transferuar nga Dinamo Zagrebi në Hellas Verona. Të shkëlqyeshëm ishin edhe lojtarët si Bersant Celina, Fidan Aliti, Benjamin Kollolli, Herolind Shala, por pa harruar edhe lojtarët që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë si Etrit Berisha,Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti e shumë të tjerë. Ndërsa nga dështimet më të mëdha ishte Eros Grezda, i cili ka stagnuar shumë si në kombëtaren kuqezi, po ashtu edhe në skuadrën e Rangersit.
/Epoka e re/