Disa njerëz AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme dhe kryetarin Haradinaj të izoluar
Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga funksionet tjera në AAK.
Ajo ka drejtuar akuza në adresë të kësaj partie dhe liderit Ramush Haradinaj.
Haradinaj-Stublla ka thënë se distancimi i saj nga një parti tek e cila ka besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk ka menduar asnjëherë që do të vijë.
“Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në llogarinë e saj në “Facebook”.
“Nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë! Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj-Stublla.
Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga pozita e ministres dhe pozitat tjera në AAK