Disa premtime dhe zotime elektorale, mbesin më gjatë në kujtesë
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka shkruar për premtimet elektorale, duke i evidentuar disa nga to, të cilat sipas tij, mbesin më gjatë në kujtesë.
Lladrovci ka publikuar edhe një fjalë rasti të mbajtur në Parlament, më 21 prill 2013, të cilën ai e vlerëson me aktualitet.
Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:
Disa premtime dhe zotime elektorale, mbesin më gjatë në kujtesë. Për shembull: Respektimi i himnit të shtetit të Kosovës, Respektimi i flamurit të shtetit të Kosovës, respektimi i kufijve të shtetit të Kosovës, Mohimi i bashkimit kombëtar, Hyrja e shpejt në OKB, një doganë me një flamur, heqja e roamingut, Porti në Adriatik vetëm për Kosovën, dyshtetësia masive, Një program i përbashkët ekonomik, turistik, energjetik, Liga e përbashkët e futbollit, etj. …dhe disa premtime të tjera: Jo negociata, vetëvendosje!
Angazhim për luftimin e pandemisë, furnizim i menjëhershëm me vaksina, angazhim i plotë kundër familjarizimit, angazhim i plotë kundër punësimeve të dyfishta e shumëfishta, aprovim i ligjit për veting dhe lustracion, para Ligjit për zgjedhje dhe Konfiskim të pasurisë së paligjshme, ngritje e ndihmës sociale për moshën e artë, anulim të pagesës së rrymës dhe pagave jomeritore për veriun… Paprekshmëria e lirisë së mediave, etj. Kosova është vend ku ndërtohet mundësia për gjasa të barabarta dhe lumturi.
Premtimet, ashtu si jepen, edhe harrohen! Për kujtesën e patriotëve me “bateri”, ju ftoj ta lexoni fjalën time të rastit, të mbajtur para 8 vjetësh, më 21 prill 2013, në Parlamentin e Republikës së Kosovës: “I nderuari Kryetar (Jakup Krasniqi), I nderuari Kryeministër (Hashim Thaçi), Kabinet qeveritar, Të nderuar deputetë, Sot, ndodhemi para një fakti të ri dhe një ngjarje të re, e cila, sipas pikëpamjes time, duhet vlerësuar si një nga momentet kthese në historinë e re të Kosovës. Afrim (Hoti), natyrisht çdo njëri që e do këtë vend, e për më shumë ka dhënë për këtë vend, nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur me të gjitha pikat tjera të kësaj marrëveshje, por nga ana tjetër, çdo kush duhet të jetë i vetëdijshëm se ajo hap një rrugë të re, jo të nënshtrimit, por të afirmimit të vlerave dhe të mëvetësisë sonë.
Albin (Kurti), edhe unë, ashtu si shumë nga Ju, në këtë sallë e jashtë saj, do të kisha dashur që Marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë të kishte vetëm katër pika, ku të ishte shkruar shkurt e qartë se, njihet pavarësia e Kosovës, dëmshpërblehet ajo, lirohen edhe ata shqiptarë që po mbahen ende në burgjet serbe padrejtësisht, të kthehen në atdhe viktimat e martirët e luftës sonë çlirimtare. Kjo është e kuptueshme. Por sado qëllim mirë, në këtë faze është edhe e paarritshme.
Liburn (Aliu), me shtetin serb nuk jemi ndarë paqësisht, por përmes gjakut, nuk jemi ndarë me dëshirën e tyre, por me luftën tonë…dhe mentaliteti i tyre këtë do e kuptojë mjerisht, shumë vonë. Marrëveshja që shtrohet para nesh është, sipas bindjes sime, më e mira e mundshme, fillesa e një rruge drejt përfshirjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe përpjekja më serioze për stabilizimin e gjendjes politike në të gjitha anët e Kosovës.
Duhet të këtë një fillim gjithnjë…dhe ky është një fillim, i cili ndryshe nga fjalët e pazarit, ka një mbështetje të fuqishme nga bota politike perëndimore. Jo vetëm sepse është e inicuar prej tyre, por edhe sepse asgjë nuk na jep të drejtën të mendojmë se të gjithë, na e kanë me hile, dhe se vetëm ne, ne këtë salle e jashtë saj, qenkemi të vetmit që mendojmë për shtetin tonë. Rexhë (Selimi), të harrosh vlerat, veprimet e vyera të atyre që na ndihmuan në kohën më të vështirë, nuk është tipike e shqiptarëve në Kosovë, megjithatë, nëse do të kishte qenë një marrëveshje sa për të qetësuar përkohësisht gjendjen e për të lënë pasoja më pas, unë nuk do të kisha qenë dakord. Pasi më shumë se ndërkombëtaret, unë e dua Kosovën…Por në këtë rast, mund të them me bindje se, angazhimi i tyre është serioz. Albin, edhe pas Marrëveshjes së Rambujesë, është menduar se tashmë nuk do të këtë më Kosovë, por kemi shtetin tonë…pavarësinë, institucionet, gjykatat, po ndërtojmë strukturat e një shteti modern, sado që kjo ndodh me gabime …por shteti i Kosovës ekziston edhe falë asaj Marrëveshje. Shtetet nuk ndërtohen në një ditë.
Ata nuk bëhen të tillë sepse duan një grupim politik, por nga një shumësi faktorësh, të cilët nuk shpërfillen, vetëm se rritet shkalla e patriotizmit nëpër mbledhje e mitingje.
Unë i jap përkrahjen time kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe në këtë, krahas bindjes sime, ka pasur jehonën e saj, edhe mbështetja që i kanë dhanë kësaj Marrëveshje, liderët z. Ramush Haradinaj e më vonë edhe z. Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të botës politike në të gjitha anët… Marrëveshja është fillesa, nuk është fundi. Ai që shikon përpara do të shkojë edhe përpara.