Disa rajone të Amerikës përfshihen nga stuhitë
Së paku shtatë persona janë vrarë nga disa stuhi që kanë përfshirë disa rajone të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Tre viktima janë konfirmuar të enjten në shtetin Misuri.
Katër të tjerë janë vrarë në fillim të kësaj javë, përfshirë një në Oklahoma dhe një tjetër në Iowa.
Më parë, Shërbimi Kombëtar i Motit në ShBA ka lëshuar një paralajmërim për stuhitë e rënda që do të ndodhin në rajon.
Sipas këtij njoftimi të paktën 29 stuhi ishin raportuar gjatë 24 orëve të fundit dhe më shumë se 170 që nga e premtja e javës së kaluar.
“Kur goditi stuhia ndihej si një tërmet”, ka thënë për “CNN”-in, Cindy Sandoval-Jakobsen, një banore lokale.
Mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike. Zyrtarët e emergjencës kanë paralajmëruar për përmbytje të papritura që mund të ndodhin në rajonet e përfshira nga stuhia.