Disa të plagosur në një stacion metroje në Nju Jork

12 prill 2022 | 16:10

Disa persona janë qëlluar mëngjesin e së martës në një stacion metroje në Bruklin, Nju Jork, ka njoftuar Departamenti i Zjarrfikësve.

Ngjarja ka ndodhur në orën 08:30, sipas kohës lokale.

“Associated Press”, duke u thirrur në burime brenda institucioneve ligjzbatuese, ka raportuar se pesë persona janë qëlluar në stacionin e metrosë. Trembëdhjetë persona janë transportuar në spitalet e kësaj zone, pas të shtënave në stacionin e metrosë, ka thënë për “CNN” Departamenti i Zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë dalë në rrugën afër metrosë pas raportimeve për zjarr dhe gjetën se disa persona ishin qëlluar dhe po ashtu gjetën pajisje të pashpërthyer, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve në Nju Jork.

“Associated Press” duke u thirrur në burime që kanë njohuri me hetimin e kësaj ngjarjeje, ka thënë se informacionet paraprake sugjerojnë se një i dyshuar ishte veshur me rroba të punëtorëve ndërtimorë.

Një fotografi nga skena shfaqi njerëz që ndihmonin pasagjerët e gjakosur të cilët ishin të shtrirë në stacionin e metrosë.

Detaje të tjera nuk janë bërë publike. Policia e qytetit të Nju Jorkut, ka thënë se po i përgjigjeshin raportimeve për disa persona të plagosur ose me armë zjarri apo nga ndonjë shpërthim.

Kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, ka thënë se është informuar për të shtënat në stacionin në Bruklin.

“Përderisa ne mbledhim më shumë informacione, u bëjmë thirrje njujorkezëve që të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që zyrtarët të mund të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të hetojnë rastin”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter”, Fabrien Levy, zëdhënësi i kreut të Nju Jorkut.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, trenat në këtë stacion janë vonuar gjatë mëngjesit të së martës. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Polonisë, ka bërë me…