Disa të vrarë nga sulmi në selinë e naftës në Tripoli
Një grup i armatosur ka sulmuar selinë në Tripoli të Korporatës Kombëtare të Naftës së Libisë.
Forcat e sigurisë janë përleshur me persona të armatosur në qendër të kryeqytetit, ndërsa janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri, kanë thënë dëshmitarët.
Një zyrtar i sigurisë ka thënë se së paku dy pjesëtarë të stafit dhe dy persona të armatosur janë vrarë në sulm.
Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se është arritur armëpushim midis milicive në konflikt.
Një qeveri e mbështetur nga Kombet e Bashkuara është në pushtet në Tripoli, por milicitë kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit të vendit.
Nuk është ende e qartë se kush e ka kryer sulmin në Tripoli.
Sektori i naftës i Libisë, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë, është përfshirë vazhdimisht nga dhuna që nga koha kur sunduesi libian, Muamar Gadafi, është rrëzuar nga pushteti në vitin 2011. (Rel)