Disa vende të BE-së mund t’i hakmerren Rusisë pas incidentit në Britani
Liderët evropianë kanë konkluduar edhe një herë në një samit të mbajtur në Bruksel se “ka shumë mundësi” që Rusia të ketë qenë përgjegjëse për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në Britani.
Diplomatët kanë thënë se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian po ashtu kanë konsideruar mundësinë e hakmarrjes, pasi kryeministrja britanike, Theresa May ka bërë thirrje për bashkim ndaj sulmit që besohet të jetë kryer me agjent nervor të kategorisë ushtarake.
Lituania ka thënë se është duke konsideruar përjashtimin e diplomatëve rusë pas këtij incidenti.
Kryeministri holandez, Mark Rutte dhe liderë të tjerë pas samitit, kanë thënë se i kanë rikujtuar edhe një herë ambasadorit të BE-së në Moskë për konsultimet rreth asaj se blloku është duke u solidarizuar me Britaninë.
Përmes një deklarate të përbashkët, liderët kanë thënë se BE-ja, “pajtohet me të dhënat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar se ka shumë mundësi që Federata Ruse është përgjegjëse dhe se nuk ka mundësi tjetër të besueshme” për incidentin.
Pas diskutimeve në Bruksel ata kanë thënë se, “ne qëndrojmë të solidarizuar me Mbretërinë e Bashkuar përballë kësaj sfide të rëndë për sigurinë tonë të përbashkët”.
Skripal dhe vajza e tij vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, pasi janë gjetur pa ndjenja në një stol në Salisbury më 4 mars.
Britania e akuzon Rusinë për përdorim të agjentit nervor Noviçok.
Rusia vazhdimisht mohon çdo ndërhyrje në sulm, raporton “Rel”.
Pasi ka arritur në samitin e BE-së, May ka thënë se sulmi ka qenë “pjesë e modelit të agresionit rus kundër Evropës”.
Ajo ka thënë se do t’iu bëjë thirrje liderëve të BE-së të luftojnë kërcënimin nga Rusia, “që nuk respekton kufijtë”.
Në të njëjtën kohë, Kremlini ka njoftuar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka diskutuar me Këshillin e Sigurisë së Rusisë për politikën “armiqësore dhe provokative” të Britanisë kundër shtetit të tij.