Diskutimet për Banjskën në AP të NATO-s, citohet ICG: KFOR negocioi tërheqjen e grupit sulmues
Kah ikën u panë, e si dolën nuk dihej. Megjithatë, 8 muaj pas, në aleancën më të fuqishme në botë, do të tregohet me lejen e kujt sulmuesit e armatosur serbë përshkuan malet e Banjskës, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Në raportin e diskutuar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, është shkruar që misioni i KFOR u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkivë të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s, raporton Klankosova.tv.
Për këtë pjesë, ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lankaster që është raportues për Ballkanin Perëndimor, ka cituar një raport të hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, veçse jo edhe në paragrafët ku e shpjegojnë në detaje rolin e të shumë kërkuarit serb Milan Radoiçiq në sulmin terrorist të Banjskës dhe të shpallur të padëshiruar në Amerikë e në Britani të Madhe.
Në dokumentin ku tregohet në detaje historia e Kosovës, e problemet me Serbinë, vëmendje e madhe i është dhënë krejt veriut të Kosovës.
“Në qendër të mosmarrëveshjes janë dy çështje kyçe: mosnjohja (dhe fushata ndërkombëtare aktive kundër njohjes) dhe mënyrat dhe mjetet e integrimit të popullsisë serbe të Kosovës – veçanërisht në katër komunat veriore që kufizojnë me Serbinë, ku serbët përbëjnë rreth 90% të popullsisë. Katër komunat janë ende pjesërisht nën kontrollin e Beogradit, ndërsa Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin mbi totalitetin e territorit të vet”, thuhet më tej në raport.
Megjithatë, sfidë vlerësohet të jetë zbatimi i ujdive të arritura mes Kosovës e Serbisë.
Komisioni për mbrojtje e siguri u mblodh të shtunën, në ditën e parë te mbledhjes 3 ditëshe të asamblesë së NATO-s, ku në rend të ditës të hënën është edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.