Diskutimet për çështjen e targave, Lajçaku: Takohemi më 13 maj

29 prill 2022 | 14:39

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar që t’i vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një marrëveshje të përhershme për punën e targave.

Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter”, Lajçaku ka thënë se do të vazhdojnë diskutimet më 13 maj.

“Jam i lumtur të tregoj qe pas konsultimeve me dy shefat e ekipeve negociatore dje dhe sot, ne u pajtuam për të vazhduar diskutimet tona më 13 maj në Bruksel për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave”, ka shkruar Lajçaku.

Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte zhvilluar takim trilateral me përfaqësuesin e Serbisë, Petar Petkoviq dhe emisarin Miroslav Lajçaku, më 21 prill, por s’ishte nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.

Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, pala serbe s’kishte prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kishin pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme.

Marrëveshja e përkohshme ka skaduar më 21 prill. Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e…