Diskutohet dhënia e prioritetit të ekspertizave forenzike për sistemin prokurorial
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), Blerim Olluri, me të cilin ka biseduar për çështjet e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mbështetjes së nevojshme për ofrimin e shërbimeve forenzike me prioritet të lartë dhe në kohë sa më të shpejtë për rastet që lidhen me lëndët e ndryshme penale.
Në ketë kontekst, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka kërkuar nga kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, që të mundësohet dhënia e prioritetit për lëndët me paraburgim dhe lëndët e tjera, në mënyrë që të zbardhen shpejt hetimet për rastet e ndryshme kriminale.
Ndër të tjera, Hyseni dhe Olluri kanë diskutuar edhe për organizimin e takimeve të zyrtarëve të sistemit prokurorial dhe atyre të kësaj agjencie për t’i koordinuar çështjet e përbashkëta, si dhe kanë theksuar nevojën e njohjes së proceseve dhe procedurave të nxjerrjes së ekzaminimeve forenzike përmes organizimit të vizitave të prokurorëve në laboratorët përkatës.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që të mbështesin hartimin e një ligji të veçantë për rregullimin e procedurave të ekspertizave të nevojshme për sistemin e drejtësisë, ligj ky, i cili është edhe shtruar si kërkesë imediate nga ana e kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, në takimin e tretë të Bordit të Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020”.
Agjencia e Kosovës për Forenzikë lehtëson punën e institucioneve për arritjen e drejtësisë, duke bërë të mundur që provat materiale të ofrohen pas ekzaminimit për Prokurorin e Shtetit, gjyqësinë, hetuesinë dhe institucione të tjera të zbatimit të ligjit në Kosovë.
/Epoka e re/