Diskutohet për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet prokurorit të Shtetit dhe EUROJUST-it
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, dhe prokurorja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina – njëherit koordinatore e Prokurorisë për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, ka pritur në takim një delegacion nga EUROJUST-i, të kryesuar nga zëvendëspresidentja Margarita Šniutytė, e shoqëruar nga koordinatorja e projektit Azra Ikovic dhe zyrtarja ligjore Florina Bisog.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një delegacioni të lartë të EUROJUST-it në Republikën e Kosovës, e cila është e një rëndësie të veçantë dhe ka për synim të nxisë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe të lehtësojë ndihmën ligjore të ndërsjellët në çështjet penale.
Temë thelbësore e diskutimeve të përbashkëta ndërmjet përfaqësuesve të Prokurorit të Shtetit dhe EUROJUST-it, ishte nevoja e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për implementimin e projektit “WB CRIM JUST”, i cili do fillojë të zbatohet në Ballkanin Perëndimor, projekt ky që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit në rajon në rastet e rënda penale dhe krimit të organizuar, duke bashkuar prokurorët dhe autoritetet e tjera përkatëse zbatuese të ligjit në koordinimin e hetimeve si dhe në ngritjen e ekipeve të përbashkëta hetimore të cilat do të mundësojnë hetime sa më efektive.
Me këtë rast, në kuadër të zbatimit të këtij projekti në fushën e drejtësisë penale, Prokurori i Shtetit u ftua që të nominojë prokurorët si pikë kontakti, si dhe vendosjen e pikave e ndërlidhëse të përhershme ndërmjet Prokurorisë së Shtetit dhe EUROJUST-it, që siç u vlerësua do të japin efekte pozitive në zhvillimin e operacioneve të përbashkëta kundër krimit.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e institucionit të Prokurorit të Shtetit kanë çmuar lartë vizitën e delegacionit të EUROJUST-it, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm që vendos një stad të ri të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve respektive, me ç’rast kanë shprehur gatishmërinë për implementimin e plotë të të gjitha obligimeve dhe përgjegjësive që dalin nga bashkëpunimi i ndërsjellë.