Diskutohet për funksionalizimin e parkut të biznesit në Marinë
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe drejtori për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Mehmet Berisha, kanë pritur të mërkurën në takim drejtoreshën e Agjencionit Zhvillimor Rajonal Veri, Rreze Duli, si dhe Kreshnik Thaqin e Armend Vehapin nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA.
Gjatë takimit është diskutuar për hapat që duhet t’i ndërmarr Komuna e Skenderajt sa i përket funksionalizimit të Parkut të Biznesit në Marinë.
Kryetari Jashari ka marrë premtime nga drejtoresha Duli e po ashtu edhe nga zyrtarët e Agjencionit për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, se do t’i ofrojnë përkrahje dhe ndihmë në proceset e krijimit të parkut.
Jashari i ka falënderuar zyrtarët për gatishmërinë e treguar rreth përkrahjes dhe ndihmës së nevojshme, në mënyrë që Parku i Biznesit në Marinë të jetë model në Kosovë.
/Epoka e re/