Diskutohet për implementimin e projektit “Modernizimi i Kadastrit” në Malishevë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës kanë biseduar për aktivitetet konkrete për implementimin e projektit “Modernizimi i Kadastrit” edhe në komunën e Malishevës.
Ky projekt si aktivitet kryesor ka rindërtimin e informacioneve kadastrale, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, nga të cilat mund të përfitojë edhe komuna e Malishevës.
Për këtë arsye, respektivisht, me qëllim të diskutimit rreth fushave të interesit të përbashkët ku bashkëpunimi do të mund të konkretizohej edhe me identifikim të hapave konkret, është mbajtur edhe ky takim mes kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, dhe kryetarit të komunës së Malishevë, Ragip Begaj, si dhe drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër, Bashkim Krasniqi, me bashkëpunëtorë.
Në takim është diskutuar edhe mbi të gjeturat e raportit të monitorimit të punëve kadastrale të kryera nga Zyrat Kadastrale Komunale.
Në fund të dyja palët u zotuan për bashkëpunim dhe përmbyllje të këtij projekti kompleks por shumë i domosdoshëm për të ardhmen e qytetarëve tanë.