Diskutohet për Ligjin e të pagjeturve
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Abërie Nagavci, si dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, kanë takuar përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e nënave”, nga Gjakova.
Në këtë takim është diskutuar për Ligjin për të pagjeturit, i cili nga të pranishmit në takim është konsideruar i domosdoshëm. Me këtë rast, Osmani ka kërkuar që procesi i hartimit të Ligjit për të pagjeturit të finalizohet në një periudhë të afërt dhe i njëjti të miratohet në Kuvend.
Po ashtu, ajo ka kërkuar koordinim ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që në tekstin final të këtij ligji të përfshihen edhe rekomandimet e organizatës “Thirrjet e nënave” dhe organizatave të ngjashme që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve. Përmes këtij ligji, ndër të tjera, do të mundësohej edhe përkrahja institucionale për familjet e të pagjeturve.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ky ligj të miratohet sa më parë dhe i njëjti të procedohet për miratim në Kuvend. Në anën tjetër, Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, kanë thënë se Kuvendi do të shtyjë përpara përsipër këtë çështje duke shpresuar që ky ligj të marrë përkrahjen e nevojshme të të gjitha grupeve politike.