Diskutohet për menaxhimin e sistemit gjyqësor në pandemi
Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur takimi virtual në mes të kryetarëve të gjykatave dhe kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), ku është diskutuar menaxhimi i situatës me pandeminë në aspektin e mbajtjes së seancave gjyqësore dhe koordinimi i aktiviteteve me Këshillin Gjyqësor, bazuar në rrethanat e krijuara, si pasojë e virusit Covid-19.
Kryetari Peci ka theksuar nevojën e eliminimit të disa dilemave që janë shfaqur tek gjyqtarët rreth mbajtjes së seancave gjyqësore në kohë pandemie, pavarësisht planit emergjent të përpiluar nga KGJK dhe vendimeve përcjellëse.
Sipas tij, është e nevojshme që secili kryetar gjykate të përpiloi rregulla të caktuara të veprimit, duke u bazuar në specifikat e gjykatave që përfaqësojnë.
Po ashtu, kryetari Peci e ka lënë të hapur mundësinë që si Gjykatë Supreme të dalin në ndihmë të gjyqtarëve me udhëzime, nëse një gjë e tillë paraqitet e nevojshme.
Më tutje, kryetari Peci ka vënë në pah nevojën e koordinimit në mes të gjykatave dhe KGjK-së, pasi pandemia, si në çdo sferë të jetës, edhe në gjyqësorë, ka ndikuar negativisht, duke shtuar numrin e lëndëve të grumbulluara.
Peci ka falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për gjyqësorin, dhe për mbështetjen që aktualisht po japin në menaxhimin e situatës me pandeminë, duke mos përjashtuar edhe ndihmën e programit JSSP të USAID.
Qëndrim i përbashkët në këtë takim ka qenë që: “seancat gjyqësore online mund të mbahen nëse palët paraprakisht pajtohen, ndërsa seancat në gjykata, të mbahen duke respektuar strikt masat mbrojtëse nga virusi Covid-19”
Ndërsa kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, dhe kryetarët e gjykatave kanë shprehur opinionet dhe shqetësimet e tyre lidhur me menaxhimin e situatës aktuale, duke u zotuar për angazhim maksimal dhe thellim të bashkëpunimit në mënyrë që palët të mos pësojnë vonesa të tjera në gjyqësorë.
(F.D / Epoka e re)