Diskutohet për rolin e grave në vendimmarrje
Në kuadër të Javës së Gruas është mbajtur diskutimi “Gratë menaxhere në sektorin publik – lehtësimi i transformimit nga qasja kuantitative në atë kualitative”, në kuadër të tryezës “Gratë në vendimmarrje” organizuar nga INDEP.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, ka thënë se gratë janë të angazhuara në poste të ndryshme të rëndësishme, por ka theksuar se ende nuk ka asnjë grua të angazhuar si kryesuese të grupeve parlamentar, që sipas saj është një post i rëndësishëm.
Ajo gjithashtu diskutoi edhe për përmbushjen e kuotës gjinore.
“Partia ime iu ka dhënë hapësirë dhe mundësi që asnjë degë e nëndegë të mos mbyllet pa 30 për qind të grave në të gjitha nivelet. Por, më besoni që në disa zona më të thella akoma ka hezitime dhe mos guxim të grave që të paraqiten dhe të marrin vet iniciativa”, ka thënë Deliu-Kodra.
“Rast për t’u përmendur për të mirë është Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që me merita të angazhojnë 30% të pjesëtareve. Kanë arritur të kenë gra, në kryerje të detyrave”, është shprehur ajo.
Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Magbule Shkodra, ka pohuar se ka përcjellë përkrahjen dhe avancimin e gruas në zgjedhjet e fundit.
“30 përqindëshi ka siguruar që gratë të kenë mundësi të kandidojnë, por ajo që më ka befasuar kësaj here ka qenë se shumica e grave kanë arritur të fitojnë garën në baze të votës preferenciale”, ka thënë zëvendësministrja Shkodra.