Diskutohet për rolin e prokurorëve në politikën ndëshkimore
Me iniciativë të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, është mbajtur tryezë diskutimi për rolin e prokurorëve në aplikimin e politikës ndëshkimore gjatë procedurave gjyqësore.
Në hapje të takimit, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se qëllimi i kësaj tryeze është diskutimi për aplikimin e udhëzuesit të politikës ndëshkimore nga ana e gjykatave dhe për rolin e prokurorëve në krijimin e një politike unifikuese ndëshkimore.
Në këtë kontekst është kërkuar një rol më aktiv nga ana e prokurorëve që nëpërmjet veprimeve juridike të ndikojnë te gjykatat në shqiptimin adekuat të sanksioneve penale.
“Ne si prokurorë duhet të kërkojmë nga gjyqtarët që të shqiptohen dënime adekuate në harmoni me peshën e veprës penale. Prokurorët duhet të sigurojnë aktakuza të fuqishme, të cilat e vërtetojnë gjendjen faktike, me anë të së cilës bëhet edhe cilësimi i duhur juridik i veprës penale”, ka deklaruar, kryeprokurori Lumezi.
Gjatë kësaj tryeze, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha niveleve të sistemit prokurorial, është diskutuar edhe për përdorimin e procedurave alternative nga ana e prokurorëve, të drejtën e ankimimit, rolin mbikëqyrës dhe bashkëpunues ndërmjet kryeprokurorëve dhe prokurorëve gjatë kualifikimit të veprave penale, krijimin e një mekanizmi që mundëson një bashkëpunim me institucionet, siç janë: shërbimi sprovues, shërbimet sociale, si dhe tema të tjera të cilat ndërlidhën me natyrën e këtij takimi.
Po ashtu, gjatë diskutimeve ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe partnerëve nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, është parë nevoja e hartimit të një udhëzuesi për rolin e prokurorëve në politikën ndëshkimore, me ç’rast është caktuar edhe grupi punues, i cili do të punojë në hartimin dhe përgatitjen e këtij udhëzuesi, që do të jetë në harmoni me udhëzuesin e politikës ndëshkimore të hartuar nga Gjykata Supreme dhe ligjet e tjera në fuqi.
Pjesëmarrës në këtë tryezë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë ishin Këshilltarët e Lartë Ligjore, Lana Owens dhe Corey Smith, njëherësh prokuror Federal në Distriktin e Floridës në ShBA, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij për të diskutuar dhe bashkëpunuar për çështjet, që janë në interes të institucionit të Prokurorit të Shtetit.
/Epoka e re/