Diskutohet Projektligji për pagat, cilësohet si antikushtetues
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe ai Prokurorial i Kosovës (KPK) i janë drejtuar Komisionit për Legjislacion, me kërkesën për nivelizimin e pagave ndërmjet tri pushteteve, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, ka thënë se duhet të balancohen pagat sipas ligjit për të tri pushtetet, atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
“Me formë të shkruar i jemi drejtuar qeverisë dhe kemi shprehur shqetësimin tonë. Nuk ka trajtim të barabartë të tri pushteteve atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nëse zbriten, le të zbriten të gjithë, mirëpo le të jenë të barabarta. Aktualisht neni 4 i Kushtetutës e parasheh një mundësi të tillë”, është shprehur Idrizi.
Me të njëjtën kërkesë komisionit i është drejtuar Bahri Hyseni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“Me rastin e hartimit të ligjit për paga konsiderojmë që është bërë shkelje kushtetuese pikërisht në nenin 4 ku parashihet ndarja e pushteteve”, ka thënë Hyseni.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky komision do t’i adresojë këto çështje, derisa ka theksuar përkrahjen e saj për kërkesat e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor.
Edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se do t’i mbështesin kërkesat e KPK-së dhe KGjK-së.
Ndërsa, deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, ka kërkuar nga këto dy institucione të drejtësisë bashkëpunim më të madh me komisionin.
Më tutje, nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa, ka thënë se kërkesat e KGjK-së dhe KPK-së janë të drejta dhe si të tilla do t’i mbështesin.
Gjithashtu edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se e përkrah barazinë e pushteteve dhe është pro uljes së pagave, dhe jo rritjes së tyre.
Deputetët Sami Kurteshi dhe Shkumbin Demaliaj janë zgjedhur nga Komisioni për Legjislacion të marrin pjesë në Komisionin për Administratë në kohën kur do të shqyrtohet Projektligji për paga. (EO)