Distria dhe Erza synojnë sukseset në Tokio
Në mesin e xhudisteve që po arrijnë suksese në garat ndërkombëtare është edhe Distria Krasniqi, e cila po synon që Kosovës t’i sjellë medalje nga Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Krasniqi, e cila tashmë po bëhet gati për këto lojëra, thotë se tashmë është adaptuar në kategorinë 48 kilogramë dhe ka arritur pikët e nevojshme për pjesëmarrje. “Është hera e parë që kam arritur të shkoj në finale në një ‘Grand Slam’. Dihet tash që ‘Grand Slam’ dhe ‘Grand Prix’ në xhudo janë shumë të forta pasi që ka filluar të bëhet kualifikimi edhe mbledhja e pikëve për t’u kualifikuar për Tokio. Kështu që unë kam mbledhur pikët për Tokio. Shpresoj të kualifikohem atje dhe të kthehem me medalje”, ka thënë Krasniqi.
Kurse xhudistja Erza Muminoviq, e cila mori pjesë në Lojërat Olimpike për të rinj në Argjentinë, ka thënë se, pavarësisht prej lojërave të ashpra, ajo arriti t’i sjellë Kosovës medalje. Njëherësh, Erza njoftoi që synimi i saj i ardhshëm është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për të rritur.
“Normalisht ka qenë e vështirë pasi që të gjitha luftërat kanë qenë të ashpra derisa në fund arrita të fitoj medalje. Normalisht në kategorinë time kam qenë favorite kur të gjithë kanë pritur medalje nga unë, kemi pritur edhe të artën, por medalja është medalje, nuk ka rëndësi”, ka thënë Muminoviq.
Përndryshe, së fundmi në garat e Grand Slamit në Abu Dhabi Kosova fitoi katër medalje, ndër të cilat Nora Gjakova fitoi një medalje të artë, kurse Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova fituan medalje të argjendta. Ndërsa në Lojërat Olimpike për të Rinj që u mbajtën në Argjentinë, xhudistja Erza Muminoviq i solli Kosovës medalje të bronztë.