Distributorët farmaceutikë: Vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë rrezikojnë furnizimin me barna në Kosovë

03 shkurt 2025 | 18:44

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale reagon për çmimet e barnave.

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për përcaktimin e çmimeve të barnave, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ky vendim mund të ketë në tregun farmaceutik dhe furnizimin me barna në Kosovë.

Në një njoftim për media, pas një takimi me anëtarët e saj më 3 shkurt 2025, SHDPFMK ka marrë disa vendime kyçe:
Shitja e stokut aktual – Distributoret do të vazhdojnë shitjen e barnave me çmimet ekzistuese deri në përcaktimin e një periudhe kalimtare për zbrazjen e stoqeve.

Paditë për çmimet e reja – Produktet e importit të ardhshëm, të cilat kanë çmime të miratuara nga MSH nën koston e furnizimit, do të procedohen në gjykatë për mungesë baze ligjore.

Kërkesë për sqarime nga ATK – Operatorët do t’i drejtohen Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për sqarime mbi shitjen e produkteve nën çmimin blerës, pasi stoqet tashmë janë të deklaruara.

SHDPFMK ka kritikuar edhe procedurat e reja të vendosura nga MSH për deklarimin e çmimeve të barnave, duke theksuar se vendimi i datës 31 janar 2025 nuk është në përputhje me Ligjin për Barnat. Sipas Shoqatës, ndërsa Ligji kërkon që deklarimi të bëhet të paktën një herë në vit, vendimi i MSH lejon deklarimin çdo 10 ditë, pa dhënë udhëzime të qarta për operatorët ekonomikë.

Gjithashtu, Shoqata ka shprehur shqetësimin për mungesën e dialogut me institucionet përgjegjëse. Pavarësisht kërkesave të shumta për takim me MSH dhe komisionin për çmime, SHDPFMK thotë se nuk ka marrë përgjigje. Në këtë kontekst, është bërë e ditur se mbi 1,400 produkte medicinale të regjistruara pranë AKPPM janë të padeklaruara dhe qarkullojnë në treg pa çmime të miratuara.

Shoqata paralajmëron se mungesa e koordinimit mund të sjellë pasoja serioze për furnizimin me barna, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, duke rrezikuar pacientët në Kosovë. Po ashtu, është rikujtuar se vendi ende nuk ka një listë të barnave të rimbursueshme dhe as sigurime shëndetësore.

SHDPFMK shpreson që Ministria e Shëndetësisë të reflektojë mbi vendimet e fundit dhe të krijojë hapësirë për diskutim, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje jetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari organizativ i AAK-së për diasporë, Sokol Mehmetaj, është shprehur…