Dita Botërore e AIDS-it
Më 1 dhjetor shënohet Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik.
Kampanja për vitin 2022 zhvillohet me moton: “Barazi”.
Motoja “Barazi” është thirrje për veprim, është një nxitje për të gjithë ne që të punojmë për të adresuar pabarazitë dhe për të ndihmuar në përfundimin e AIDS-s. Kjo përfshin: Rritjen e qasjes, cilësisë dhe përshtatjen e shërbimeve për trajtim, testim dhe parandalim të HIV-it, në mënyrë që të gjithë të marrin shërbime të nevojshme; dhe Reformimin e ligjeve dhe praktikave që trajtojnë stigmën dhe përjashtimin me të cilin përballen njerëzit që jetojnë me HIV, grupet vulnerabile dhe të margjinalizuara, në mënyrë që të gjithë të trajtohen me respekt.
Statistikat globale të HIV-it
HIV vazhdon të jetë një çështje e madhe globale e shëndetit publik, 38.4 milionë [33.9 milionë-43.8 milionë] njerëz në mbarë botën jetonin me HIV në vitin 2021. 1.5 milion [1.1 milion–2.0 milion] njerëz u infektuan rishtas me HIV në 2021. 650 000 [510 000–860 000] njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me AIDS në vitin 2021. 28.7 milionë njerëz po përdornin terapinë antiretrovirale në vitin 2021.
84.2 milionë [64.0 milionë–113.0 milionë] njerëz janë infektuar me HIV që nga fillimi i epidemisë. 40.1 milionë [33.6 milionë-48.6 milionë] njerëz kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me AIDS që nga fillimi i epidemisë.
Njerëzit që jetojnë me HIV
36.7 milion [32.3 milion-41.9 milion] të rritur (15 vjeç ose më të vjetër). 1.7 milion [1.3 milion–2.1 milion] fëmijë (0-14 vjeç). 54% e të gjithë personave që jetonin me HIV ishin gra dhe vajza. 85% [75-97%] e të gjithë njerëzve që jetojnë me HIV e kanë të njohur statusin e tyre HIV në 2021. Rreth 5.9 milionë njerëz nuk e dinin se ishin me HIV infeksion në vitin 2021.
Nuk ka kurë për infeksionin HIV. Megjithatë, me rritjen e aksesit në parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin efektiv të HIV-it, përfshirë infeksionet oportuniste, infeksioni HIV është bërë një gjendje shëndetësore kronike e menaxhueshme, duke u mundësuar njerëzve që jetojnë me HIV të bëjnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Vlerësohet se në fund të vitit 2021 jetonin 38.4 milionë [33.9-43.8 milionë] njerëz me HIV, dy të tretat e të cilëve (25.6 milionë) janë në Rajonin Afrikan të OBSH-së.
Kosova
Kosova është ndër vendet me prevalencën më të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë drogë (PID) dhe punonjëset femra të seksit (PFS).
Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV.
Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor te vitit 2022, në Kosovë janë raportuar 157 raste me HIV dhe AIDS.
Sa i përket shpërndarjes së rasteve sipas gjinisë, numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (76%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe 35-44 vjeç me 27%. Deri më tani 51 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it. Në vitin 2022, janë raportuar 15 raste me HIV infeksion dhe dy raste me AIDS, prej tyre 6 janë nga komuniteti MSM.
Rruga seksuale e transmetimit të HIV virusit vazhdon të dominoj në vendin tonë në 97% të rasteve me nën rrugët heteroseksuale 52% dhe homoseksuale 25%.
Aktualisht në trajtim janë 52 persona të infektuar me HIV;
Ministria e Shëndetësisë siguron falas diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve me HIV.
Në kuadër të Klinikës Infektive, funksionon Qendra për Këshillim dhe Testim Vullnetar për HIV (QKTV) ku shërbimi ofrohet falas.