Dita e Çlirimit, Osmani: Evropa lindi në një Kosovë të lirë

12 qershor 2024 | 10:52

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 25 vjet më parë, kur ushtarët e NATO-s shkelën Kosovën, ata ishin shpëtimtar të popullit të Kosovës.

Në seancën solemne të Kuvendit për nderë të 25-vjetorit të çlirimit, Osmani ka thënë se hyrja e NATO-s ishte një fuqia e solidaritetit ndërkombëtar.

“Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më. Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë. Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman: ‘Evropa lindi në një Prishtinë të lirë’. Sot mund të themi,  Evropa lindi në një Kosovë të lirë”, ka thënë Osmani.

Më tutje, ajo ka theksuar se në këtë ditë do ta kujtojnë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit Ibrahim Rugova dhe luftën e UÇK-së.

“Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë. Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së,  mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1 133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka thënë Osmani. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe…