
Dita e gjysmëfinales, sot do të dihen finalistët e Kupës së Kosovës
Sot do të luhen dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të kësaj gare prestigjioze.
Llapi dhe Prishtina iu hyjnë ndeshjeve përkatëse me avantazh nga ndeshjet e para, ndërsa do të mundohen ta konfirmojnë kualifikimin në finale.
Mirëpo, as kundërshtarët e tyre nuk ia lënë mangut, pasi finalen do ta kërkojnë edhe Drenica respektivisht Drita.
Ekipi i Tahir Batatinës e fitoi duelin e parë si vendës me rezultat 2:0, ndërsa sot në Drenicë shkon për ta ruajtur këtë kapital dhe për ta prerë biletën për në finale.
Por, edhe skuadra e Bylbyl Sokolit do t’i përdorë të gjitha forcat për ta përmbysur rezultatin, ndonëse fokusi kryesor i saj është që të rikthehet në Superligë pasi po prin në Grupin A të Ligës së Parë.
Më interesant pritet të jetë në gjysmëfinalen tjetër mes Prishtinës dhe Dritës.
Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Arsim Thaqi e fituan lojën e parë në udhëtim, ndërsa sonte para publikut të tyre duan ta sigurojnë kualifikimin në finale.
Nga ana tjetër, gjilanasit, të cilët janë shumë afër titullit të kampionit në Superligë, do t’i përdorin kartat e tyre për përmbysje eventuale të rezultatit.
Ndeshja mes Drenicës dhe Llapit do të nisë prej orës 15:00, kurse ajo mes Prishtinës dhe Dritës do të luhet prej orës 20:00 nën dritat e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Siç dihet, fituesi i Kupës e fiton të drejtën e pjesëmarrjes në garat evropiane e prandaj ky trofe është bërë edhe më i rëndësishëm për skuadrat.
Mbi të gjitha, këtë trofe e kërkojnë Llapi e Prishtina, të cilët nuk ia arritën ta sigurojnë Evropën përmes ligës.