Dita e katërt e botërorit, në fushë zbresin pretendentët
Dita e katërt e kampionatit botëror të futbollit rikthen në fushë dy skuadrat e kuotuara më lart për të ngritur trofeun në fund.
Në orën 17:00, Gjermania do të nisë mbrojtjen e trofeut në sfidën përballë Meksikës.
Gjermanët mbërrijnë në këtë kompeticion në një formë të mirë. Kanë 28 ndeshje pa humbje dhe në 10 ndeshjet e fundit kanë fituar po 10, në 7 prej tyre janë shënuar mbi 3 gola.
Ndeshja do të luhet në stadiumin Luzhniki, aty ku do të jetë edhe finalja e madhe e Kupës së Botës.
Pak pas fërshëllimës përfundimtare të sfidës Gjermani-Meksikë vëmendja do të zhvendoset nga Moska në Rostov, ku në fushë do të zbresë një tjetër pretendent. Brazili do të ketë përballë Zvicrën e katër shqiptarëve.
Brazilianët kanë 17 ndeshje që nuk e njohin humbjen, por Zvicra ka treguar që është një kockë e fortë dhe surprizat edhe mund të ndodhin.
Ndërkohë, ditën e katërt e ka hapur ndeshja mes Kosta Rikës dhe Serbisë.
Serbët konsiderohen si favoritë për ta fituar takimin nga ana e kompanive të basteve dhe ekspertët e futbollit.