Nata e katërt e kryeqytetit në karantinë
E mërkura shënon natën e katërt të Prishtinës në karantinë si masë për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Deri më tani në kryeqytet janë konfirmuar 43 raste me koronavrius, shkruan “Epoka e re”.
Masat e reja të qeverisë anti Covid-19 ka bërë që gjatë ditës të ketë shumë pak qytetarë dhe makina që lëvizin nëpër kryeqytet, vetëm ata që janë duke punuar në institucione publike dhe atë me numër të kufizuar.
Ndërkaq, nata në Prishtinë është e qetë dhe rrugët janë të zbrazëta, nuk shihen as qytetarë dhe as makina.
Ajo që të bie në sy rrugëve të Prishtinës janë semaforët që ndërrojnë ngjyrat.
Me masat e reja të qeverisë çdo qytetar, nga data 15 prill deri më 3 maj, do të ketë të drejtë të lëvizjes në dite vetëm për 90 minuta gjatë orarit të përcaktuar në bazë të numrit të parafundit të numrit personal.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar të mërkurën qytetarët për bashkëpunimin duke qëndruar në shtëpi në këto kushte të vështira, ku sipas tij, ata po ndihmojnë shumë në realizimin e masave të ndërmarra për të mbrojtur jetën dhe shëndetin nga Covid-19.
Deri më tani në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 gjithsej 423 persona me 9 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Më poshtë keni fotografi të realizuara sonte në rrugët e Prishtinë nga ekipi i “Epokës së re”:
/Epoka e re/