Dita e Mësuesit, Konjufca takohet me arsimtarë veteranë të shkollës shqipe në Kosovë
Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim disa veteranë të arsimit, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.
Në këtë takim të përzemërt, kryetari Konjufca pasi ka uruar veteranët e arsimit për festën, ka falënderuar ata për kontributin e pazëvendësueshëm në edukimin dhe arsimimin e brezave.
Kryetari Konjufca ka thënë se mësuesit dhanë gjithçka nga jeta e tyre, për t’i përgatitur gjeneratat e reja për kontribut sa më të madh për kombin e atdheun.
Konjufca ka theksuar se me vetëmohimin e tyre gjatë periudhës së pushtimit, mësuesit kanë shërbyer si model dhe frymëzim në rezistencën dhe luftën për çlirim, ndërsa misioni i mësuesit edhe sot vazhdon të jetë i rëndësisë thelbësore.
Mësuesit veteranë nga ana e tyre kanë falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë dhe vëmendjen ndaj një çështjeje kaq madhore siç është arsimi.