DITA E PARË E VERËS ’98
TEKI DERVISHI
DITA E PARË E VERËS ’98
Në çdo fund të vitit shkollor të fëmijërisë sime
Kanë munguar nxënësit që janë mbytur në Lumin e thellë
Unë siç shihni ende jam gjallë. E prita edhe këtë verë
Në këtë fund të vitit shkollor mungojnë disa arsimtarë
Tashmë janë tharë. Ra zilja e mbramë. Të gjithë pse qajnë?
Unë dal oborrit të shkollës mbuluar me barin e njomë
Jo nata që më zë në atë rrugë deri te dera kah largohem
Më zë mosha ime. Pikëllimi. Kori me këngën për dëshmorë
pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?
Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së
Buza e tyre e njomë me shkrumbin e dhembjes i fotografon
Kanë shenjë Saturni. Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!
Si luftoj unë që mendoj se fjalët ta ha kokën shqim?
Unë nuk kam kujdes kur flas. Gjuha më shtie në flakë
Kur shkruaj unë nuk flas, dikush me pëshpërit në vesh
Mos u frikëso! Futu në zjarr! Mos u sill rrotull zjarrit!
Mos e aktro dhembjen! Mos e aktro vetminë! Mos u shtir!
Por fjalët e rrezikshme ende nuk më vranë. Jam gjallë
Kush mund të më besojë? Kush beson se ka trima të gjallë?
Një herë ndodh çdo gjë! Të tjerët ta përsërisin fatin!
Unë ia dal të mendoj: nëse vazhdojnë t’i vrasin fëmijët
Ç’t’i them moshës sime? Të ngushëllohem me fjalë të rrezikshme
Të hyj në flakë me fjalët trime, apo me trupin tim – me kokë?
Kush thotë e jap kokën për Atdhe, gjuha i flet në gojë e gjallë
Heronjtë s’flasin, veç kur m’i përshpërisin në vesh këto fjalë!
Ra zilja e mbramë. Fëmijë të vdekur mungojnë. Mungojnë arsimtarë
Lumi i Thellë i fëmijërisë sime i merr, apo Mali në Veriun e Thellë
Çdo gjë është vjetruar. Çdo gjë që përsëritet. Vetëm fëmijët tanë
Dhe, varret e gjyshërve – habiten si nuk na ka hije mosha jonë!
Nëse keni duruar robërinë, na lini neve rrugë kah parajsa, thonë.
PLOJA E NATËS NË DEÇAN
Pas ushtarëve erdhën ikonografët me brusha,
për të pikturuar “Pamjen” që paraqet një vajzë shtatëvjeçare,
duke qëndruar në këmbë, në këmishë nate, në terrin e
dhomës, midis trupave të masakruar të prindërve,
vëllezërve dhe motrave të saj.
Cili terr i mesnatës mund të paraqitet në pikturë
Pa hijen e domosdoshme të dritave diskrete
Edhe dhomës i mungon dritarja edhe qiellit yjet
Kur ata që shohin me sytë tanë tashmë janë të vdekur.
Ata janë në paqe me vetveten: as afër s’janë as larg
Një dritë mendimi mund të bëjë tufë spektri violet
Aq sa ta paraqesë figurën vertikale të Hanës shtatëvjeçare
Merrni me mend dritat që i japin pamjet e ëndrrës
Në të cilën ju vret me thikë pas shpine ulërima e shtazës.
Piktura të përjetëson në këmbë duke qëndruar njëmijë vjet
E rrethuar nga trupat e prindërve të saj të masakruar
Me cilat këmbë do të largohet ajo hapësirës pa horizont
Shkallëve tatëpjetë si do t’i kapërcejë lumenjtë aheron.
Cila ulkonjë e pyllit të egër do t’i japë sisë
Me ç’gjuhë do t’i flasë Liria kur ajo t’i zbretë nga mali
Në qytetin e dritave kristale, yje të natës në verë
Gjuha e tmerrit, gjuha e vetmisë, gjuha e kobit të zi
Është heshtja e të masakruarve që ikin në sferat e tjera.
Kaq shihet piktura me dritën e mendjes shumë statike
Thotë Profeti i Xhibranit, “kur ti nuk banon në tmerr
atëherë jeton me gojë, me fjalë. Zëri të bëhet lojë”
Pamja e masakrës në kafazin e fjalëve krahët i hap
por nuk mund të fluturojë atje ku janë të vdekurit tanë
Po vijnë sharlatanët, politikanët, vëzhguesit,
monitorët, humanitarë, mjekët pa kufij,
zyrtarët e Bashkësisë Evropiane, rusët dhe kriminelët e tjerë.
Nuk i la policia piktorët, kompozitorët, poetët,
profetët – që të hyjnë në Banesën e Hanës shtatëvjeçare,
ta pikturojnë duke qëndruar në këmbë
pranë kufomave të prindërve të saj të masakruar.
(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)