Dita e punëtorëve, Hoti kritikon qeverinë Kurti

01 maj 2023 | 14:13

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka renditur disa vërejtje drejtuar Qeverisë së Kosovës për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Hoti, përmes një postimi në “Facebook”, si vërejtje të parë e renditi mos rritjen e pagave.

“Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3 për qind krahasuar me vitin paraprak”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se Ligji i Pagave në sektorin publik më shumë ka krijuar probleme sesa zgjidhje.

“Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyrë miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për t’u buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar Hoti.

Hoti si vërejtje të tretë e renditi moszbatimin e ligjit për pagën minimale.

“Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet”, ka shkruar Hoti.

Dhe si vërejtje të fundit Hoti e renditi shtrenjtimin e tatimit në pronë dhe atë të energjisë elektrike.

“Pa asnjë konsideratë për gjendjen ekonomike, u dyfishua tatimi në pronë për shumë qytetarë dhe biznese, si dhe dy herë u shtrenjtua energjia elektrike. Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia”, ka shtuar Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë të zhvilluar brenda ambienteve të shtëpisë së…