Dita e shtatë e grevës së minatorëve të “Trepçës”
Sot është dita e shtatë prej kur minatorët në Trepçë kanë hyrë në grevë.
Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.
Dje kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se gjendja e minatorëve që po grevojnë është “jashtëzakonisht e rëndë”.
Ai në një prononcim për Express tha se mbi 40 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Gjendja e minatorëve është jashtëzakonisht e rëndë, po vazhdon duke u përkeqësu nga momenti në moment. Në 24 orët e fundit, numri i minatorëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është mbi 40”, tha ai.
Jonuzi e ka ftuar kryeministrin Kurti që t’i vizitojë minatorët dhe më pas t’ua bëjë një zgjidhje.
“Ai është i vetmi që mund ta gjejë zgjidhjen”, tha dje Jonuzi.