Dita e të zhdukurve, Kurti kërkon nga ndërkombëtarët t’i bëjnë trysni Beogradit për hapjen e arkivit të ushtrisë jugosllave
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, nën përkujdesjen e zyrës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, janë bërë homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pranë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, përfaqësues të organizatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe me ambasadorë e diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë, pasi ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe, ka thënë se ende pas 25 vjetëve nuk dihet për fatin e 1595 personave.
“Shumica dërmuese apo afër 94 për qind të atyre që u zhvarrosën dhe u kthyen si kufoma në vendlindje, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, pra pas rrëzimit të Millosheviqit në Serbi, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruçac. Në këto tri varreza masive gjithsej janë nxjerr 900 shqiptarë, pleq, gra, fëmijë, 900 gjithsej. 744 në Batajnicë dhe 84 dhe 72 në Petrovo Selo edhe në Peruçac. Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza tjera masive janë nxjerr edhe 61 shqiptarë të tjerë, 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak.
Pra, pjesa dërmuese, afër 94 për qind të zhvarrosurve janë në muajt e parë pas rrëzimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme. Në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vjet liri, ndërkaq në Serbi janë vetëm këto pesë varreza masive”, ka thënë Kurti.
Si rezultat i punës dhe angazhimit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në krye të të cilit ndodhet Andin Hoti, por edhe angazhimit të organizatave e shoqatave të familjarëve, kanë filluar gërmimet në Kozhlje, i cili është një vend në Serbi, në Sanxhak, midis Tutinit edhe Novi Pazarit.
Kryeministri Kurti ka bërë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë “që ashtu qysh na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimi atje, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave, aty ku edhe është e vërteta”
“Ne po kërkojmë jo hapjen e arkivave thjesht në përgjithësi, atë doemos, mirëpo po kërkojmë edhe hapjen e një arkive fort specifike, është arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave”, ka thënë kryeministri.
Kryeministri Kurti ka thënë se kurrë nuk ka qenë prioritet më i lartë në Qeverinë e Republikës së Kosovës sesa tani gërmimet vlerësuese, gërmimet në përgjithësi, trysnia mbi Beogradin dhe bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtarë, aleatët e partnerët tanë të cilët i ka falënderuar për angazhimin e tyre.