Dita e Tokës, Veseli: Karantina duhet të shërbejë edhe si periudhë reflektimi
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka deklaruar se karantina duhet të shërbejë edhe si periudhë reflektimi për ta vlerësuar e për t’u kujdesur më shumë për trashëgiminë tonë natyrore.
Këto komente, Veseli i ka bërë në llogarinë e vet në “Facebook”, me rastin e Ditës së Tokës.
“Dita e Tokës sivjet na ka gjetur të mbyllur në shtëpi, por kjo nuk duhet të na pengojë për të menduar në mënyrë ekologjike për shtëpinë tonë të madhe të përbashkët. Madje besoj se qëndrimi i zgjatur në shtëpi gjatë kësaj periudhe, na ka bërë të gjithëve që t’ia ndiejmë më shumë mungesën natyrës, florës dhe faunës së pasur të Kosovës”.
“Ambienti i gjelbër dhe stili i jetës në harmoni me natyrën duhet parë si parakusht për të pasur një jetë më të shëndetshme e të bukur. Të gjithë ne mund të bëjmë pjesën që na takon për të mbrojtur mjedisin duke mos ndotur, duke harxhuar më pak burime natyrore apo duke përdorur materiale të ricikluara e burime të energjisë të ripërtërishme. Gëzuar Ditën e Tokës!”, ka shkruar Veseli.