Dita e tretë e dëgjimit të dëshmitarit në rastin Mustafa: ‘Nuk e kam parë kush më ka rrahur’
Po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kjo është dita e katërt e gjykimit të Mustafës, dhe dita e tretë në të cilën po dëgjohet dëshmitari i parë për rastin e Mustafës.
Në këtë seancë nuk është prezent në sallë Salih Mustafa, por ai po paraqitet nga distanca nëpërmjet lidhjes përmes platformës “ZOOM”.
Avokati i Mustafës, Julius von Bone ka parashtruar pyetje për dëshmitarin: “Dëshmitari të përshkruaj pretendimet e tij për rrahje?”, por ky i fundit ka thënë në një rast se “nuk ka pasur mundësi të shihte se kush e ka rrahur”.
“Më kanë vënë thesin. Ishte natë nuk kam mundur të shoh asgjë. Njëri ka pasur mjekrrën e gjatë. Nuk e di si me përshku se ka qenë natë”, ka pohuar dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se derisa e kanë rrahur, ai ka dëgjuar që e kanë thirrur njëri-tjetrin në një emër i cili i ka tingëlluar i çuditshëm për të.