Dita e Verës dhe legjenda e kësaj feste unike e shqiptarëve
14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës.
Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës. Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve, dhe kjo ditë kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.
Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ka qenë një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë, dhe gjithë ritet e saj. Dhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.
Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë. Pastaj siç thoshin gjyshet në mëngjes duhej të kapje një hekur të fortë, që të bëheshe e fortë gjatë gjithë vitit. Të haje një mollë të kuqe, vezë të ngjyrosur nga jashtë.
Ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Ballokumja, një recetë e pashkruar, por dhe e paimitueshme nga vende të tjera.
Legjenda e Ditës së Verës
Dita e Verës është një nga traditat më të vjetra të Elbasanit. Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte Perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës, kjo në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera. Kjo legjendë u kalua brez pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore. Simboli i kësaj feste është ballokumja, një ëmbëlsirë e bërë më miell misri. Për këtë ditë te veçantë çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite, të cilën e konsiderojnë si krenari. Dikur shkonin dhe festonin vetëm në Elbasan, ndërsa tani është bërë festë kombëtare, ku festohet në çdo qytet të Shqipërisë. Kjo festë është bërë e njohur edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë për këtë ditë të veçantë.
Tashmë edhe Tirana ka vite që organizon aktivitet të shumta për këtë ditë si: koncerte, panaire, lojëra dhe sigurisht karnavale. Ndërsa në jug kjo festë kremtohet më së shumti në Përmet, ku amvisat përmetare gatuajnë ushqime të mrekullueshme dhe i servirin në panairin në qendër të qytetit.