DITA JOTE E FUNDIT
Bujar Salihu
DITA JOTE E FUNDIT
Tim atit në një përvjetor
Unë kisha bërë mijëra milje fluturimi atë ditë
Dhe po të prisja para Spitalit Amerikan të Prishtinës
Pak para orës dhjetë
Nën sirena të ndjera të solli një autoambulancë
Doktori të pa dhe ishte shumë i prerë:
Spitali ynë është i ri për t’i kuruar sëmundjet me
avantazhe të Babait tënd
Nisja drejt Tiranës mund të jetë fatale
Opsion të vetëm e ke Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Kushtet janë të rënda po aty megjithatë kanë aparat dialize
Bëhu gati për të gjitha
Dhe përsëri sirena autoambulanca
Një udhë që më bëhej se po ngushtohej
Qendra Klinike Universitare e Kosovës shpresa e fundit
Po administrata e saj pa fije turpi
Donte të thoshte le të vdesë në livadh ky Mësues i vyshkur
Me kontributet e të cilit ishte ndërtuar edhe ky Spital
Veç Dr. Bajgora nuk lëshonte pe
Duhet t’i japim ndihmë edhe këtij qytetari
Baba më bërtiste ta ktheja në shtëpi
Më mirë se të gjitha aparaturat e kishte mësuar diagnozën e vet
Po unë si i pashpirt që isha nuk doja të dëgjoja për lutjet e tij
Ani pse edhe unë i shihja shenjat e vdekjes që i fluturonin sipër
Isha fort i sigurt që ajo mund të ishte dita e tij e fundit e jetës
Klinika Infektive dhe dera e saj e ngushtë që shtratin s’e zinte
Qe stacioni i fundit ku një mjeke e mirë me kompetencë më shpjegonte
Për zhvillimin e hovshëm të metastazave
Më fliste për fshikëzën mëlçinë edhe toksitet në gjak
Derisa Ai merrte frymë thellë
Në ekran shihja frekuencat e frikshme me alarm morti
Motrat në përpjekjen e tyre për t’ia kthyer frymën
Mjeku ngurronte të më thoshte se ndërroi jetë
Në 21:10 ishte çasti kur unë e preka trupin që s’po merrte frymë më
Babo ti ndoshta s’e mësove kurrë që katër qershori nuk ishte dita jote e fundit
Të nesërmen e pritëm me ty dhe shiun kristal që ra qetë tërë ditën në ne
Ka vite që provoj ta zgjidh enigmën e mbretëreshës me kuajt e zënë në betejë
Veç emri yt edhe do ligje të natyrës dalin të mos jenë aspak ekzakte
Për Shpirtin tënd lërmë t’i vë një titull matematik kësaj poezie pa shpirt
Për shembull: “Mësuesi që vdekjen e vet e shtronte si një ekuacion”
(Nga libri që në javën tjetër del nga shtypi nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”)