Dita ndërkombëtare e mësuesit, Jasharaj: Qeveria i ndëshkojë mësimdhënësit për grevën
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, ka thënë se qeveria e Kosovës është duke sjellë mesazhe pikëllimi për mësuesit.
Në këtë kontekst, Jasharaj ka thënë se punëtorët e arsimit janë në pritje të pagave.
“Qeveria e tyre i ndëshkojë për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë. Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”, ka thënë Jasharaj në një shkrim autorial.
Shkrimi i plotë i Jasharajt:
“Dhurata” e qeverisë për Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit
Është 5 tetori dita ndërkombëtare e mësuesit. Sot të 31 milionë mësuesit , anëtarë të Internacionales Botërore të Arsimit, e në këtë numër bëjnë pjesë edhe anëtarësia e SBAShK-ut, me aktivitete shënojnë këtë ditë të madhe të mësuesit.
Sot lartësohet kujtimi për sakrificat sublime të mësuesit nëpër vite e dekada. Sot rikthehet kujtimi edhe për mësuesit e Kosovës, që në vitet e 90-ta kanë bërë sakrifica sublime në mbrojtje të dritës kundër errësirës e duke ruajtur idealin dhe shpresën për Kosovën shtet.
Sot, më 5 tetor miliona mësues të botës kremtojnë ditën e tyre dhe blejnë ndonjë dhuratë e ca gjësende për të festuar, ndërsa punëtorët e arsimit në Kosovë festojnë të dëshpëruar e pa pagat deri në këtë moment kur po shkruaj këtë shkrim.
Qeveria e tyre i ndëshkojë për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë. Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë.
Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut