Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, bëhet thirrje për kujdes ndaj personave me aftësi të kufizuara

01 mars 2023 | 14:41

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim përfaqësues të organizatës “Handikos”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Presidentja shprehu mbështetjen ndaj përdoruesve të karrocës dhe tha se institucionet e Kosovës kanë gatishmëri t’i mbështesin ata jo vetëm në ditë të shënuara, por gjatë tërë vitit.

Në shenjë solidarizimi në Ditën Ndërkombëtare të Përdorimit të Karrocave, presidentja Osmani është ulur në karrocë duke përcjell mesazhin për gjithëpërfshirje të përdoruesve, përmirësim të qasjes si një e drejtë themelore njerëzore si dhe eliminim të pengesave.

“Krijimi i mundësive për lëvizje të lirë për ju është obligim i yni. Gjithnjë është e mundshme të bëjmë më shumë për këta persona. Kemi mbështetur vazhdimisht aktivitetet e organizatës ‘Handikos’, por edhe të fëmijëve e grave me nevoja të veçanta. Jemi në çdo ditë të vitit me ju dhe për mundësi të barabarta për të gjithë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës së personave me aftësi të kufizuara Handikos.

Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, e njoftoi Konjufcën në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar më shumë përkrahje institucionale për këtë kategori të shoqërisë sonë.

Konjufca ritheksoi nevojën që institucionet qendrore dhe ato lokale, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, të rrisin kujdesin dhe investimet në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Ai njëherësh shprehu mbështetje për t’iu siguruar atyre mundësi të barabarta dhe jetë sa më të dinjitetshme.

Drejtuesit e ‘Handikos’-it i ka pritur edhe kryeministri Albin Kurti. “Synimi i qeverisë është të ofrojë mundësi dhe qasje të barabartë për të gjithë, mundësi për pjesëmarrje aktive në shoqëri, lëvizje të lirë dhe jetë të dinjitetshme”, ka thënë Kurti.

Në takim u bisedua për procesin e Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kushtetutë, konkretisht Neni 22.

Duke folur për ndryshimet e nevojshme ligjore, u përmend miratimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e Listës, llojeve dhe pajisjeve ndihmesë, që ofrohen falas për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe procesi i hartimit të Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kievi ka thënë se Ukraina u ka “mbijetuar” sulmeve të…