Dita Ndërkombëtare e Zhdukjes së Varfërisë
Autor: Nuno Queirós, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP në Kosovë
Çdo 17 tetor, në mbarë globin, ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, një ditë e pranuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1992. Çdo vit, bëjmë një bilanc të progresit të bërë në zhdukjen e varfërisë, sfidat që mbeten, dhe çka duhet bërë në të ardhmen.
Historia e kohëve të fundit nuk ka qenë bujare ndaj më të varfërve në shoqëri. Pandemia e Covid-19, pushtimi rus i Ukrainës, rritja e ngadaltë ekonomike e kombinuar me rritjen e inflacionit dhe kushtet ekstreme të motit, sinonim i ndryshimit të klimës, vazhdojnë të vënë një tendosje mbi jetën tashmë të pasigurt të më të cenuarve.
Prandaj, 17 tetori është dita kur ne e sjellim uljen e varfërisë në ballë të diskutimit të zhvillimit dhe propozojmë zgjidhje që, të përshpejtuara, kanë potencial të thyejnë ciklin për miliona njerëz që durojnë dhunën e varfërisë.
Këtë vit jemi përqëndruar në punën e denjë dhe mbrojtjen sociale për të vënë në praktikë dinjitetin për të gjithë. Edhe pse premtimi për të drejtën për punë dhe një jetë dinjitoze është i përfshirë në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, njerëzit që jetojnë në varfëri vazhdojnë të kenë mungesë qasjeje në punë të përshtatshme dhe mbrojtje sociale. 630 milionë nga ‘të varfërit që punojnë’ nuk kanë kushte të mira jetese dhe gratë në mbarë botën vazhdojnë të fitojnë më pak se burrat, ndërkohë që zënë më shumë vende të punës të dorës së dytë. Tema e këtij viti thekson edhe një herë se varfëria lidhet me më shumë sesa thjesht të ardhura. Varfëria ka karakter shumëdimensional dhe prek të gjitha nivelet e jetës së përditshme të njerëzve. Bëhet fjalë për fusha të rëndësishme si ushqimi, vdekshmëria e fëmijëve, vitet e shkollimit, ndjekja e shkollës, disponueshmëria e karburantit për gatim, qasja në kanalizim, ujë të pijshëm dhe energji elektrike, strehimi dhe pronësia e aseteve. Përqendrimi thjesht në rritjen e të ardhurave të njerëzve nuk do ta zgjidhë problemin. Varfëria duhet të sulmohet në të gjitha frontet dhe në një mënyrë që mund të ofroj një jetë dinjitoze për të gjithë ata që kanë mbetur pas.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2020, shkalla e varfërisë me të ardhura mesatare të larta në Kosovë ishte 32.4%. Shkalla e parashikuar e varfërisë për vitin 2023 pritet të bjerë në 23.5%, dhe më pas në 2024 në 22.2%. E shoqëruar me këtë rënie, kemi një rritje të Prodhimit të Brendshshëm Bruto (PBB) që ka qenë i qëndrueshem dhe, i nxitur nga performanca pozitive e eksporteve dhe konsumit privat, pritet të arrijë në 3.2% në vitin 2023 dhe të ngritet nët 4% në 2024.
Përderisa të dhënat janë pozitive për Kosovën, kërkohet vigjilencë ndaj faktorëve të jashtëm negativ që mund të bëhen sfidë për uljen e vazhdueshme të shkallës së varfërisë. Sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore, pasiguritë e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia po prekin të gjithë botën, por mbi të gjitha Evropën, duke çuar në një ngadalësim të rritjes ekonomike në BE. Kjo nga ana tjetër çon në një dobësim të kontributit të flukseve të diasporës në konsumin privat dhe eksportet e shërbimeve pritet të dobësohen. Gjithashtu, kontributi i transfertave të qeverisë në konsumin privat pritet të ngadalësohet.
Nga ana tjetër, zbatimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik i miratuar së fundmi, do të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe rritjen e konsumit. Zbatimi i Strategjisë për Energji, si dhe investimet, si publike ashtu edhe private, pritet të japin një kontribut pozitiv në rritje në vitin 2023 dhe më tej.
Cili është roli i UNDP-së duke marrë parasysh atë që u tha më herët? Në nivel global, mandati i UNDP-së është të luftojë varfërinë në të gjitha format e saj. Që nga themelimi në vitin 1999, zyra e UNDP-së në Kosovë ka punuar vazhdimisht, së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ne kemi ofruar masa aktive të tregut të punës për më shumë se 15 vjet, duke mbështetur të rinjtë dhe gratë në zhvillimin e aftësive dhe mundësive të punësimit. 22,000 njerëz nga të gjitha komunitetet përfituan nga aftësitë dhe mundësitë e gjenerimit të të ardhurave. Kohët e fundit fokusi ynë ka qenë gjithashtu në ofrimin e aftësive digjitale për të rinjtë për t’i fuqizuar ata dhe për të rritur punësueshmërinë e tyre në fushat teknologjike.
Gjatë pandemisë Covid-19, ne mbështetëm më shumë se 8.000 familje gjatë një viti me ushqime bazë dhe artikuj higjienik. Përveç kësaj, UNDP ka mbështetur më shumë se 400 vajza në arsimin e mesëm për të eksploruar mundësitë në fushat shkencore si dhe të diplomuarat për të hyrë në tregun e punës. Gjithashtu, kemi ndihmuar më shumë se 1.000 fermerë për të përmirësuar bizneset e tyre familjare dhe për të krijuar ndërmarrje sociale për të promovuar përpunimin e ushqimit. Këto janë vetëm disa shembuj.
Ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim në nivel politikash, duke promovuar reforma strategjike, por edhe duke ofruar aftësim në zonat urbane dhe rurale, mundësi pune dhe mjete dhe metodologji të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për gratë dhe të rinjtë.
Varfëria ndryshon nga vendi në vend dhe pa mëdyshje është një çështje komplekse shoqërore. Sido ta shohim, ky fenomen i tmerrshëm kërkon mobilizimin e kapaciteteve të çdo anëtari të shoqërisë, me fokus gratë dhe të rinjtë. Është e rëndësishme që çdo individ, pavarësisht nga gjinia, feja dhe mosha, të ketë një mundësi për të kontribuar në shoqëri dhe rritjen e saj ekonomike duke arritur potencialin e plotë.
Shikoni përreth dhe do të shihni se vendet më të pasura në botë janë ato me standardet më të larta shoqërore gjithëpërfshirëse. Ne kolektivisht duhet dhe do të shtojmë përpjekjet tona për të ecur përpara dhe për të siguruar që ata që kanë më shumë nevojë dhe që kanë mbetur pas të jenë në gjendje të jetojnë dhe punojnë me dinjitet.