DITA “Z”
Lulëzim ETEMAJ
Të paktë në numër do të kenë qenë ata të cilët më 26 gusht 2015, në ditën kur në Vjenë të Austrisë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kanë nënshkruar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do të kenë qenë në gjendje ta parashohin maratonën e kësaj marrëveshjeje, përkatësisht cakun final të saj- ratikimin në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për këto afër 3 vite të kaluara, maratona e demarkacionit ka lënë prapa vetës pajtime, moskuptime e mospajtime vendore, tek qytetarët dhe subjektet politike. Mospajtime dhe moskuptime vendore.
Akuza e kundërakuza vendore, herë për falje e herë për shitje të 8500 hektarëve territor të Kosovës, deri në tradhëti. Ka lënë prapa vetës demonstrata e protesta, herë herë edhe të dhunshme, skena jo paqësore në Kuvendin e Kosovës, të dominuara nga gazi lotësjellës dhe fishkëllima e filikaqave, të organizuara nga treshja opozitare: Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj.
Janë edhe së paku dy Komisione Shetërore që u ka rënë të merren me demarkacionin. Dhe, madje kemi edhe një qeveri të rënë: Qeverinë Mustafa.
Sot, afër tri vite më vonë nga dita e nënshkrimit në Vjenë, Marrëveshja e Demarkacionit është në rend të ditës për t’u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshjës së Vjenës, të ratifikuar nga Mali i Zi që në vitin 2016, tashmë për Kuvendin e Kosovës i është bashkangjitur edhe marrëveshja e nënshkruar këto ditë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Dhe, Marrëveshja Thaçi- Vujanoviq nuk është risia e vetme e Marrëveshjës së Demarkacionit që sot shtrohet para deputetëve të Kosovës. Kryerisia është kjo: Ramush Haradinaj tani është kryeministër, ndërsa Fatmir Limaj zëvendëskryeministër.
Ndërsa Vetëvendosjës në opozitë i është bashkangjitur Mustafa, përkatësisht LDK.
Aktulisht pro ratifikimit të demarkacionit janë deklaruar PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe LDK. Vetëvendosje vazhdon me kursin e kundërshtimit. Lista Serbe, si zakonisht, është e pa parashikueshme.
I thanë “Po” ose “Jo” demarkacionit deputetët e Kuvendit të Kosovës, dita e sotme do të jetë Dita Z(ero)! Me PO- në, bie definitivisht përtokë kauza e demarkacionit. Ndërsa me JO-në, shteti i Kosovës dhe qytetarët e tij do të vazhdojnë, siç thuhet nga mbështetësit e demarkacionit, të jetojnë në geto.