Ditari i Kosta Novakoviqit për krimet e Serbisë në Shqipëri
Përgatiti dhe përktheu: Adem Nimani
Kur na i okupojmë, natyrisht, ata na urrejnë
Në muajin tetor të vitit 1912, para Shëmitrit, Divizioni ushtarak serb i Shumadisë u tubua në Prizren. Më tepër se gjysma e atyre ushtarëve ishin pa veshmbathje si duhet. Ata ecnin nëpër borë e akull me këpucë të shqyera, këmbë të lagura e të ngrira, dhe ashtu kalonin natën në një kazermë të braktisur turke, në Prizren. Për të ngrohur trupat e tyre të lagur e të ngrirë, ata, në të shumtën e rasteve pa kurrfarë mbulojash, flinin shpinë për shpine.
Pa nisur marshimin drejt detit, ushtrinë e kishin kapluar sëmundjet e llojllojshme, që nga reuma e këmbët e mërdhita, tuberkulozi e deri të barkqitja. Gjysma e Divizionit paraqiteshin të mjeku për çdo mëngjes.
Nga do t’ia mbajmë tash?- pyesnin ushtarët kur kishim arritur në Prizren.
Të nesërmen, me të lindur të diellit erdhi urdhri.
Të formohen tri njësi të cilat, njëra pas tjetrës, duhet të depërtojnë deri në bregdetin shqiptar. Komandanti i ushtrisë mori urdhër që Divizioni i parë që të niset menjëherë . Ushtarët nuk kishin çka mbathin, nuk kishin as rrobe për të veshur në një kohë kur bënte dimër i ashpër.
Çka është edhe më keq, ata ushtarë, nuk kishin as bukë për të mbushur barkun.
Duhet të marshojmë, ishte urdhri.
Kjo është kryesore – të tjerat janë dytësore. Për të zbatuar urdhrin u formua një brigadë nga ushtarët që i zgjodhën prej krejt divizionit. I zgjodhën ata ushtarë të cilët kishin këpucë dhe rroba pak më normale. Megjithatë, një e treta e tyre u nis në këtë marshim pa këpucë dhe me rroba të leckosura. Të rraskapitur e në mjerim, nuk u kursye asnjë ushtar nga marshi.
2 500 ushtarë të zverdhur të Divizionit të Shumadisë, nga Prizreni u nisem për të pushtuar Shqipërinë dhe për të ushqyer kuajt në bregdet.
Nuk mund ia fal kurrë komandës supreme të qeverisë, për këtë aventurë që na kushtoi me aq shumë ushtarë të vdekur.
Nuk ia fal as mjekëve që lejuan të dërgohen në këtë marshim, ushtarët me reumë, me tuberkuloz, e lloj-lloj sëmundjesh, për të lënë në fund vetëm kockat në tokën e Shqipërisë.
Komandantëve serbë nuk iu shkohej “në det”, në një kohë kur iu kishin mbetur vetëm eshtrat në trup. U vendos me short se cili batalion do të nisët i pari.
Shorti i ra Batalionit të I-rë. Me gjasë kjo ndodhi pasi ata ushtarë dukeshin më të vjetër. Shortin e hodhën nënoficerët dhe urdhërdhënësit e çetave, të cilët bënë grumbullimin e atyre që duhej të marshonin deri në det.
Para nisjes, paguan secilin ushtarë me nga dy-tre dinarë. Eprorët nuk i shënuan emrat e atyre ushtarëve që do të marshojnë drejt detit, për t’iu mbetur shumica e parave në xhepin e tyre.
Djegia e fshatrave dhe vrasjet pa dallim
Filloi djegia e fshatrave, rrënimi i shtëpive dhe prerja e kokave të arnautëve.
Arritëm në fshatin Brut. Këtë fshat të vogël, ushtria e dogji dhe e rrënoi plotësisht. Në dy shtëpi të rrënuara, gjysmë të zbrazëta, gjetën disa njerëz, ndërsa në rrënojat tjera të atyre shtëpive nuk kishte mbetur njeri me frymë.
Të nesërmen sërish marshuam teposhtë Drinit, drejt Urës së Vezirit.
Afër urës gjetëm rojën tonë ushtarake i cili po qëndronte afër nëntë varreve të ushtarëve tanë. Mbi dhe, te këmbët e ushtarëve serbë të varrosur kishin lënë nëntë koka të prera të shqiptarëve. Ishin vendosur në atë pozitë. Ato koka të prera të arnautëve, në shenjë nënshtrimi i kishin vendosur te këmbët e ushtarëve te vrarë serbë.
Hakmarrja për ushtarët tanë të vrarë ishte e egër. Ata që e quanin vetën hakmarrës, një nëntoger dhe 14 ushtarë kishin shkruar emrat e ushtarëve të tyre të vrarë në nga një copë letër dhe i kishin lënë mbi varrin e secilit. Kokat e prera të shqiptarëve i varrosën te këmbët e ushtarëve të vrarë serbë. Rojtari tek ura na shpjegoi për këtë hakmarrje.
Iu kishim rekomanduar fshatarëve që të sjellin ushqim, dhe kur ata e sollën ushqimin i vranë dhe ua prenë kokat, tha ushtari që bënte roje aty.
Vrasje e plaçkitje, “trima me dy zemra”
Kur e kaluam Drinin, gjetëm një arnaut të pafat me një tufë delesh afër rrugës. Kur u përpoq të mbronte kopenë nga plaçkitja e ushtrisë, atë e vranë dhe ia morën gjithë tufën e deleve për ta therë për mish.
“Ua japim fjalën e nderit se nuk do t’ju pushtojmë”! – iu thoshin shqiptarëve.
Edhe burrat edhe gratë shqiptare i besuan ushtrisë serbe, se kjo ushtri nuk po vinte si pushtuese dhe nënshtruese, por për ta ndjekur ushtrinë turke të cilën e urrenin edhe arnautët.
Prenk Bibë Doda, një bajraktar fisi i Mirditës, komandant i nja katër mijë bashkëkombësve, lëshoi pe dhe lejoi marshimin e njësive tona ushtarake, sipas marrëveshjes që kishim bërë. Ua kishin dhënë arbanasëve fjalën e nderit se nuk kemi ardhur për të nënshtruar e pushtuar Shqipërinë, por për ta çliruar.
Komandanti i Njësisë së parë, Buliqi, i ngritur me gradë koloneli ia dha fjalën e nderit bajraktarit shqiptar.
Prenk Bibë Doda, po të mos arrihej kjo marrëveshje, do t’i shpallte luftë ushtrisë serbe.
Pastaj, ushtarët tanë të rraskapitur u shtrinë buzë rrugës për të pushuar.
Më shkonte ndërmend se sa ishin të lodhur e të rraskapitur; ushtarët më nuk do të mund të ngriheshin në këmbë. Në konakun tjetër erdhën shumë prej këtyre ushtarëve, por jo të gjithë. Disa kishin mbetur në shtëpitë shqiptare për shërim e pushim. Arnautët ishin kujdesur për ta, i kishin ushqyer e ngrohur derisa iu ka ardhur shpirti për të vazhduar rrugën tutje.
Fotografuam pamje nga natyra e atij vendi.
Ishte terren kodrinor, gurishtë, tokë e shkretë. Nga kulturat bujqësore aty mund të rritej pak vetëm misri dhe rrallë ndonjë perime.
Shqipëria shkëmbore ka tokë të varfër dhe nuk mund të siguronte ushqim as për veti e për bagëtinë, e lëre më për ushtarët serbë. Ato ara të vogla që kishin, ishin të rrethuara me gurë për të mos ua marrë uji i shiut ato pak dhe që kishin në sipërfaqe.
Atë gjendje që pamë mund ta kuptojnë vetëm ata që jetojnë aty.
Ato ara zakonisht ishin afër shtëpive për siguri nga vjedhja. Edhe bagëtinë i mbanin afër ku flinin për të mos ua vjedhë dikush.
Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri, disa afër njëra-tjetrës që duken sikur lagje apo fshat.
Ato ara të ligja zor se mund të mbajnë aq njerëz. Sa herë ndahen mes veti, dikush largohet prej aty për të gjetur ndonjë vend ku mund të ndërtojë një kasolle për të jetuar. Edhe atje ku vendoset, duhet të pastrojë atë copë lendinë nga gurët.
Atij që kalon këndej për herë të parë, mund t’i bie në sy edhe ndonjë arë a livadh në formë tarrace të punuar bukur mbi një kodër prej nga mund të shihet gjithë fshati i rregulluar me këso arash të vogla, njëra mbi tjetrën. Ato vaditen me kujdes në atë mënyrë që uji të mos marrë me vete ato pak dhe që kanë sjellë aty nga larg.
Ky farë kontrasti në një vend shkëmbor me ara të gjelbëruara e livadhe, tek ndonjë vizitor mund të zgjojë ndjenjën për diçka të bukur. Edhe neve na dukej pejzash i bukur, ndoshta pse ishim aty nga “zori”. Këto pamje me siguri mund t’i bien në sy edhe kujtdo që i bie rruga andej.
Arnautëve, kjo pamje nuk iu bënte përshtypje
Kjo pamje për ta ishte e mirë, por jo e bukur, siç thoshin arnautët. Me siguri, kjo pamje ata nuk i impresiononte nga puna që kishin bërë. Kushdo që kalon andej, i bie në sy ky vend të bukur, por jo edhe për t’u ndalur e për të qëndruar e jetuar më gjatë.
Duket se ata njerëz janë pjekur me atë jetë.
Derisa kemi arritur në bregdetin shqiptar, kam parë vetëm një njeri me shtat pak më të plotë. Gjithë njerëzit tjerë që shihnim, ishin vetëm asht e lëkurë, nga kushtet e jetës që bëjnë duke zbritur e duke u ngjitur nëpër ato bregore.
Me sa duket, bredhjet e tyre ditore i kanë kalitur për të përballuar këto kushte jete. Për çdo ditë ata bëjnë atë rrugë duke ecur këmbë apo duke sjell ndonjë barrë ngarkuar mbi kalë.
Buka është ushqimi kryesor për ta, përkatësisht buka është i gjithë ushqimi që kanë.
Pushtimi i Lezhës
Vetëm pas dy-tre të shtënave me top, Lezha iu dorëzua Divizionit të Drinit, që mbante emrin Albania [Shqipëria].
Ushtarët malazias që ishin me ne, e plaçkitën Lezhën. Pastaj, aty na mori e liga nga tifoja dhe barkqitja.
Në anën e epërme të Lezhës ishte kalaja nga e cila shihej deti. Vendosem disa çadra në anën e poshtme të kalasë, ku ishte një fushë me ullinj. Në atë kohë të keqe, kur ishin prerë thuaja të gjithë drunjtë, oficerëve tanë nuk iu kujtua të ndalojnë prerjen e ullinjve nga ushtria. Duke mos ditur vlerën e tyre, ushtarët tanë pa pyetur prenë shumë pemë ulliri.
Është luftë, prandaj askush nuk pyet për kurrfarë vlere, thoshin ata. Për t’u ngrohur ushtarët, pa menduar fare prisnin cilindo dru peme që shihnin. Thernin për mish çdo kafshë që shihnin rastësisht.
Ushtarët e uritur plaçkitnin çdo njeri, shtëpi apo familje që hasnin. Për secilin ushtar serb, jeta ishte më e ëmbël se e atij arbanasit që e vrisnin. Është luftë thoshin. Për një copë buke vritej shqiptari, i zoti i shtëpisë i cili linte pas shumë fëmijë jetimë.
Lezha kishte rëndësi për serbët dhe ishte paraparë të jetë qyteti i parë “serb në bregdet’. Deri aty imagjinohej të ndërtohej hekurudha e bregdetit në Shëngjin.
Nga ai vendqëndrim ku ishim vendosur, për herë të parë kam parë lindjen e diellit në det.
Nga lindja dhe jugu, Serbia e Greqia bënin presion për të pushtuar sa më shumë territor në brendi të Shqipërisë. Gjithë kjo po bëhej për interesa vetjak të qarqeve të pushtetit të këtyre dy shteteve. Edhe në këtë gjendje, të gjitha pjesët e Shqipërisë kishin synim rezistencën. Edhe ata donin të fitonin pavarësinë për të jetuar më mirë.
Mendoj se arnautëve iu mungon bashkimi i forcave
Ata dukeshin tepër të përçarë. Po të bashkoheshin, kjo do të thoshte se ata mund të fitojnë atë që duan, por tash për tash janë larg bashkimit.
Po theksoj edhe një herë, se nga krejt ato që shohim e përjetojmë përditë, çdo pushtim i këtij vendi, normalisht do të sjell patjetër rezistencën e arbanasëve.
Krejt çka ka sjellë këtu ushtria serbe për popullin shqiptar, është zgjimi i tyre për t’u bashkuar në luftë kundër pushtuesit.
Një ditë kjo do të ndodhë dhe arnautët tash do të bëhen bashkë kundër armikut të tyre serb. Humbja e pavarësisë me siguri një ditë do t’i këndellë këta njerëz për të bërë punën e duhur të organizimit të një shteti.
Ajo që po iu ndodhë tash është dhembje e madhe, por për këtë nuk janë fajtorë arbanasit. Frika nga humbja e pavarësisë është faktor i rëndësishëm dhe ky faktor do të sjellë mënyrën e vetme të mbrojtjes nga armiku i jashtëm, do të sjell një bashkim të fortë, një bashkim shtetformues.
Fillimi i okupimit ushtarak
Me të arritur në Shqipëri, për ushtrinë serbe nuk shtrohej çështja a do të jetë Shqipëria serbe apo jo! Qeveria e Beogradit e zgjidhi këtë çështje menjëherë!
Tash shtrohej pyetja vetëm sa tokë të Shqipërisë do të marrë Serbia; deri në Tiranë ose deri në Shkumbin ku rastësisht do të kufizohej me Greqinë e cila do të merrte atë gjysmën tjetër të tokës shqiptare.
Me këtë mënyrë të zgjidhjes pajtoheshin të gjithë eprorët ushtarakë, nga të dy anët. Ky konkluzion mund të nxirret nga urdhri i Komandës Supreme serbe, e cila tashmë Shqipërinë e konsideronte vetëm si një qark serb. Ky konkluzion ishte rrënjosur fort tek të gjithë eprorët e rangut të lart e të ulët serb të Divizionit Albania. Ky disponim i tyre, nëse jo aq armiqësor, shihet nga fjalori i tyre. Të gjithë flasin për qëndresën e pamundur të Shqipërisë. Përfundimisht ata njerëz nuk ishin për gjykim, pasi këtë ua thoshte qeveria serbe dhe Komanda Supreme e përcillte tek ushtarët, të cilët duhet ta ngulitnin këtë bindje edhe te popullata shqiptare.
Ushtria konsideronte se ajo tokë është e jona dhe duhet të mbetet e jona. Kështu ndodhë në luftë, thoshin ata. Ushtria filloi administrimin mbi Shqipërinë për të vendosur sado-kudo kushte e rrethana normale, nëse mund të quheshin ashtu. Është e logjikshme që të përgatitet popullata për një regjim të ri, çka do të përfitoj; nga ky regjim dhe t’iu tregohet atyre se si “ushtria serbe ka ardhur t’i çlirojë e jo t’i robërojë ata”, e jo siç flitet e dëgjohet veçanërisht nga arbanasit.
Urdhri për të djegur, për të vrarë e për të pjekur
As Komanda Supreme e as Qeveria serbe nuk kishte kurrfarë plani, as cak që mund të quhej normal.
Krerët (pogllavarët) serbë thoshin hapur: le të dali ku të dali. Gjatë kësaj kohe duhet të kujdesemi për të vendosur njëfarë rregulli. Të furnizohen trupat, të kenë kujdes të rreptë për çdo shfaqje të pakënaqësisë nga popullata dhe ai rebelim eventual të shuhet brutalisht me gjak. Të mos kursehet asnjë individ që reziston kundër pushtuesit serb dhe të digjet krejt fshati, kudo që dëgjohet një krismë pushke.
Oficerëve iu dha urdhri me shkrim me të cilin do të dënohen të gjitha ata të cilëve ju mungon brutaliteti i kërkuar.
Çetnikët i bekonte kisha serbe para e pas çdo masakrimi
Në vendbanimet më të vogla u dërguan njësi komitësh serbë. Këto njësi vepronin me egërsi kundër popullatës, krejt të lira, pa asnjë përgjegjësi. Vërsuleshin me krejt ashpërsinë kudo që vërenin ndonjë disponim armiqësor ndaj ushtrisë sonë. Në të njëjtën kohë evidencoheshin edhe ata ushtarë të cilëve iu mungonte ashpërsia e zbatimit të urdhrave. Propozoheshin për mirënjohje eprorët e atyre njësive që kishin bërë masakra dhe plaçkitje më të egra. .
Administrimi ushtarak me varje në litar
Regjimi ushtarak u vërsul me gjithë egërsinë e vet. Këto reprezalje i bënin nënoficerët dhe oficerët me psikologji kazermash: njerëz me horizont të ngushtë pa kokërr morali.
Ata ishin të paskrupullt ndaj njerëzve të përkatësisë tjetër kombëtare, pa asnjë kriter, se çka guxojnë e çka nuk guxojnë të bëjnë. Edhe po të ndodhte që komandanti i ndonjë njësie, nga frika apo butësia, iu ka përmbajtur ndonjë rregulli që të mos bënte asgjë që do t’i përngjante administrimit ushtarak, kjo nuk do të ishte mirë për të. Kudo që ka shkel këmba e ushtarit serb, pushteti dhe administrimi i ushtrisë serbe, arbanasit kanë ruajtur kujtimet më t; zeza për ushtrinë serbe.
Komanda ushtarake, në hapin e parë që ndërmori, vendosi kudo trekëndëshat e vdekjes, ku ekzekutonte dënimet me varje në litar për të frikësua sa më shumë njerëz. Eprorët ushtarakë as që kanë menduar të ndërmarrin ndonjë metodë tjetër për zgjidhjen e problemeve, kur e kishin përpara urdhrin për këso mase ndëshkuese; Varjen në litar. Për këtë dënim nuk i përgjigjeshin askujt, sepse është luftë, thoshin ata.
Nëse dikush gabon, vrite për të mos e përsëritur gabimin edhe një herë tjetër.
Ushtria nuk ka kohë të pres përmirësimin e të dënuarit, por të përmirësohet ai tjetri afër tij që do të mund të gabonte. Të mbretërojë frika, të dridhet secili njeri i gjallë para tyre, ky ishte parimi kryesor i shumicës së komandantëve të skuadrave ekzekutuese serbe.
Haraçi dhe keqpërdorimi i buxhetit
Që të mos thotë dikush se nuk kam shkruar të vërtetën në këtë ditar, po i shkruaj disa shembuj:
Pushteti ushtarak menjëherë (dikush sipas urdhrit të Komandantit të Divizionit Albania e disa edhe pa urdhër të tij) me të arritur në Shqipëri, nga populli filluan të tubojnë taksa e haraç, ashtu siç kishin paraparë në fillim, sipas njëfarë mostre të pushtetit turk që kishte qenë më parë. Edhe pse ato shuma të parasë dukeshin të vogla e të pamjaftueshme për ushtri, ato ishin të pamundura për popullatën e varfër nga e cila i merrnin me forcë. Kjo po ndodhte në një kohë lufte kur nuk kishte asnjë aktivitet pune. Këto taksa, për ata që i tubonin, ishin të vogla por kur grumbulloheshin, rriteshin në shuma të konsiderueshme për individë të cilët nuk kishin asnjë përgjegjësi për t’i evidencuar me shkrim në ndonjë regjistër apo libër të arkëtarit të ushtrisë.
Kishte para, por ato nuk u shpenzuan për ushtri
Në divizionin tonë, në njëfarë mënyre të pashpjegueshme qe aplikuar njëfarë kursimi.
Nga 20 mijë dinarë në vlerë ari, sa mori ushtria për rrugë, gjatë marshimit ishin shpenzuar gjithsejtë katër-pesë mijë dinarë, ndërsa shuma tjetër ishte kursyer dhe këtë e kishin bërë me jetë njerëzish, me shëndetin e tyre dhe me forcën që u kishte mbetur eprorëve.
Ushtri e uritur, pa veshmbathje
Gjatë marshimit, ushtarët tërhiqnin këmbët zvarrë. Gjysma ecnin zbathur, me këmbë të ngrira nga të ftohtit. Edhe ata që kishin këpucë të shqyera, gishtat iu kishin mërdhi dhe dukeshin nga larg. Shumicës i mungonte edhe buka. Para nisjes, dhe për dy ditë të marshimit, ushtarët kishin ngrënë nga pesë bukë. Në fillim buka ua kishte mbushur barkun dhe ua kishte forcuar këmbët, por kjo ishte e keqja e tyre, pasi që ata duhej të ecnin edhe pesë ditë pa bukë.
Korrupsion e mito, si dikur edhe sot
Në fillim, në çastet e para të frikës, tubimi i haraçit shkoi shumë mirë. Njerëzit menduan se me tatim po blejnë jetën e tyre. Kështu, u tubuan shuma të mëdha të parasë të cilat i mblodhën oficerët e rangut të ultë dhe ua dorëzuan atyre të rangut të lartë të Divizionit Albania në Durrës.
Duke kaluar nga dora në dorë, shuma e atyre parave zvogëlohej dhe si rezultat i këtij zvogëlimi ishte bindja e të gjithë ushtarëve për pasurim të dyshimtë të një numri të madh oficerësh, të cilin fakt e kuptoi edhe populli. U bë publik komprometimi i komandantit të Divizionit Albania i cili u pensionua për shkak se për këtë problem shkruhej në shumë kartolina të ushtarëve të dërguara nga posta e Durrësit.
Ushtarët, në kartolinat e veta kishin shkruar edhe për shumë të këqija që behshin atje në front, dhe ato kartolina u bën publike.
Këtë po e thoshin vet ushtarët serbë, e mund ta merrni me mend çfarë thoshin e mendonin arnautët për këtë ushtri serbe e cila i vrau e ua plaçkiti atyre ato para?!
Në shumë raste, për shkak të detyrimit me dhunë për të paguar tatimin, ushtria serbe shkoi aq larg duke shkaktuar edhe kryengritje të popullatës.
Kryengritjen e fshatit të varfër Zhej, mes Tiranës dhe Krujës, fshat që kishte 25 shtëpi, e shkaktoi komandanti i skuadrës ekzekutuese, njëfarë kapiten Petroviqi, komandant i ushtrisë serbe në Krujë. Ai mblodhi taksat me forcë. Arnautët i sulmuan katër ushtarë që kishin shkuar për të marrë tatimin me forcë, por me atë rast fshatarët kishin vrarë një ushtar dhe e kishin plagosur një tjetër. Të nesërmen krejt ata fshatarë, me fëmijë e gra, ishin shpërngulur diku në Mat, krahinë kjo që e tëra kishte rrokur armët.
Kur dy çeta të ushtrisë serbe u nisën drejt Matit me një top dhe një mitraloz, nga Tirana drejt kryengritësve, më nuk janë kthyer pas. Kur kanë dëgjuar fshatarët se ushtria është nisur drejt tyre, kanë ikur nga shtëpitë e veta.
Kapiteni Petroviq dhe trekëmbëshi i varjes në Krujë
Kur flasim për komandantin e skuadrës në Krujë, atëherë duhet të theksojmë se aty pati shumë dënime me vdekje, me pushkatim, dhe veçanërisht varje në litar.
Nuk ka poshtërim më të madh për burrin shqiptari se me i ra shuplakë apo me çkado tjetër kur nuk ka si të mbrohet. Nuk ka dënim me vdekje më nënçmuese për shqiptarin, se ta varësh në litar.
Këto dënime të shpeshta në Krujë ndikuan shumë keq tek banorët e qytetit dhe rrethinës, por edhe në të gjithë Matin.
Edhe kur komandanti i Krujës një herë dërgoi një tog ushtarësh me një oficer për të djegur shtëpitë e disa arnautëve që ishin me armë, akoma pa arritur togu arnautët ishin larguar dhe ishin bashkuar me njësitë e armatosura të Matit.
Arnautët e armatosur në Mat sulmuan atë tog ushtarësh serbë dhe i vranë e i shpartalluan të gjithë. Pas dy-tre ditësh një tog ekzekutues serb është futur edhe në Krujë në shenjë hakmarrjeje, por ka pësuar shumë humbje.
Ishte dhuratë nga Zoti, që ne ishim në Tiranë
Në Tiranë, trekëmbëshat e varjes nuk u përdorën, pasi që detyra e çarmatosjes iu ngarkua një oficeri të taktikës dhe kështu te ne nuk pati kryengritje, as rebelim, as sulme. Dhe jo vetëm kaq.
Fiset e rrethinës së Krujës, të cilët ishin të armatosur, para se të arrinim ne aty i dërguan porosi komandantit serb të Tiranës se duan të bisedojnë me të, për dorëzimin e armëve. Pasi që kjo nuk ishte në kompetencë të komandantit të Tiranës, atyre iu rekomandua t’i drejtohen atij në Krujë, gjë që ata nuk guxuan ta bëjnë. Pati disa raste kur ata njerëz të cilët ishin kthyer në shtëpitë e veta dhe kishin dorëzuar armët me fjalën e dhënë nga serbët se nuk do t’u ndodhë asgjë, ata kaluan si mos më keq.
Ata që i dorëzuan armët, ushtria serbe i vari në litar apo i pushkatoi menjëherë.
Ky shembull iu shërbeu shqiptarëve të tjerë që më të mos dorëzohen në Krujë. Kjo ndikoi shumë sidomos në krahinën e Matit, e cila njëherë pat vendosur për paqe, duke shpresuar se regjimi ushtarak do të jetë i përkohshëm dhe se me konflikt nuk arrihet asgjë.
Sipas një marrëveshje të formës: Iu japim fjalën e nderit serb, Mati do të njihte përkohësisht pushtetin tonë dhe njerëzit do të ktheheshin në shtëpitë e veta, por kur panë çka iu ndodhi atyre arnautëve që ishin dorëzuar, më nuk u dorëzua askush.
Kështu, Mati mbeti me armë në dorë gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në Shqipëri, i gatshëm për t’i kundërvu sulmit të ushtrisë serbe atje. Mati nuk i besoi më ushtrisë serbe dhe konsideronte se më mirë është të ruajë mëvetësinë e vendit. Ajo krahinë përgatitej për mbrojtje e jo për sulm.
Popullata mbahej nën frikë dhe paqartësi
Megjithëse në qarqet e ushtrisë serbe ishte vendosur që Shqipëria të jetë serbe, popullata po mbahej nën frikë dhe pritje të diçkaje të cilën nuk e dinte çfarë do të jetë.
Sa u thuhej sot kështu, të nesërmen u thuhej ndryshe diçka tjetër.
E tërë kjo shkaktoi mosbesim tek popullata ndaj ushtrisë sonë.
Grekët dhe arnautet ortodoksë filluan të ftohen nga entuziazmi i parë i çlirimit, duke pritur të mirat e administratës së re të pushtuesit serb. Ata shpejt u penduan për atë manifestim që organizuan për pritjen tonë në Tiranë, në Durrës e në Kavajë, dhe na kritikuan që nuk iu kishim thënë që të përmbahen, për të mos u rënë në sy shqiptarëve të pezmatuar nga ardhja jonë atje.
Viktima e parë, por jo e vetme e këtij pezmatimi të shqiptarëve, ishte greku Leonida Mineo nga Kavaja i cili ishte kryetar i komunës dhe i cili me dhunë kishte tubuar shumë para nga shqiptarët dhe ato ua kishte dorëzuar pushtetit ushtarak.
Shqiptarët e vranë Leonida Mateon midis Kavaje.
Përveç tij u vranë edhe disa grekë e shqiptarë ortodoksë, po ashtu të komprometuar me shoqërimin e tyre me ushtarët serbë dhe pushtetin ushtarak, që shumë herë ishte krejt i rrejshëm.
Serbia përkrahu bejlerët dhe nuk u mor fare me të varfrit
Krejt larg pushtetit tonë ushtarak kishin mbetur të varfrit. Edhe në Shqipëri, ashtu si kudo në botë, sipas rregullit në tokat e pushtuara, në fillim shtresat e pasura të vendit bëhen luajalë ndaj pushtuesit. Ato shtresa, gati sipas një rregulli, së pari ndihmojnë regjimin e ri. Për të qenë ata luajalë ndaj regjimit të ri, regjimi ushtarak serb atyre duhet tua siguronte pasurinë për të qenë luajalë. Të gjithë ata bejlerë që me punën e tyre të mëhershme politike ishin aq të komprometuar para masës shqiptare, kishin ikur para ardhjes së ushtrisë serbe. Të tjerët agallarë që kishin mbetur, ndoshta tash jetonin më të sigurt nën regjimin e ushtrisë serbe.
Pse nuk ishin të kënaqura shtresa e mesme dhe të varfrit?
Ushtria serbe as nuk kishte çka u jep të varfërve për të qenë ata luajalë. Edhe sjellja e ushtrisë serbe ndaj tyre ishte e tmerrshme, krahasuar me qëndrimin serb ndaj të pasurve dhe bejlerëve. Të varfërve pushteti i ri nuk u jepte asgjë. Vet fakti se si po kalonin të pasurit me ushtrinë pushtuese serbe, mjaftonte për të na urryer të gjithë të varfrit. Ata, nën këtë regjim të ri, për të cilin kemi folur e shkruar, barazinë e kuptonin si zhdukje të privilegjeve të bejlerëve dhe korrigjim të të gjitha padrejtësive që kishin bërë bejlerët ndaj tyre gjatë gjithë pushtimit turk
Çetnikët shohin vetëm plaçkën dhe thikën
Njësitë ushtarake kishin vendosur regjimin e tyre dhe mund të merret me mend se çfarë regjimi ishte ky. Skuadra komitësh vrastarë serbë vepronin të lira. Një oficer i rangut të ultë, me një, dy a tri togje, apo me një çetë, administronte një vend ku ishte dërguar të sundonte me ligje mesjetare. Ai oficer as nuk ka mundur ta paramendonte veten në pozitën e popullit, një populli aq të varfër ku ky epror ka ardhur aty jo me fat po me terror.
Ai epror e di që ka për detyrë administrimin e përkohshëm në atë vend dhe prandaj as që përpiqet të afrojë njerëzit dhe është i bindur me aq shumë shembuj të sjelljeve të oficerëve të rangut të lartë. Ai është i bindur që ka një shkak kundër të gjithëve; dajakun dhe pushkën.
Komitët serbë konsideronin se kanë autorizime për çdo gjë. Kur atyre iu bie hise të administrojnë një vend, mund të paramendoni çka mund të ndodhë me ata njerëz që kanë mbetur në duar të tyre. Me vet faktin që ata komitë serbë janë paraqitur vullnetarë për të vrarë e plaçkitur, dihet se çfarë bëjnë. Ata i ndanë nga njësitë e mëdha të trupave të rregullta, dhe ashtu të bëhen të padukshëm me qellim për të plaçkitur e për të vrarë sa herë që duan.