***
E enjte 15 shkurt 1979
Kështu e “përshëndetin” popujt armikun e tyre më të egër, imperializmin amerikan
Shtypi, radiot dhe televizioni botëror, flasin sot me të madhe rreth dy ngjarjeve që kanë prekur rëndë autoritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga Teherani njoftohet se një grup “kryengritësish” iranianë, sulmuan dje ambasadën amerikane dhe, pas një lufte të ashpër e trup me trup me rojat ushtarake të saj (trupa të zgjedhura të Fanterisë së Marinës Amerikane), e pushtuan atë. Kapën rob rojat, personelin e ambasadës, mbi 70 veta me ambasadorin në krye, të cilët i futën pastaj në bodrumet e ambasadës.
U desh ndërhyrja e qeverisë iraniane, që iranianët e zemëruar, të largoheshin nga ambasada. Agjencitë e lajmeve, njoftuan në të njëjtën kohë se edhe në Kabul, kryeqytet i Afganistanit, disa njerëz “të panjohur” goditën dhe vranë ambasadorin amerikan, në këtë vend. Kazani po zien. Popujt që janë hedhur në luftën nacionalçlirimtare, po “përshëndetin” armikun e tyre më të egër, imperializmin amerikan.
***
E shtunë, 17 shkurt 1979
Shënim
Sot, pasi i bëra edhe disa vërejtje e përforcime, i dhashë fund definitivisht artikullit në lidhje me Iranin, tezat e të cilit i kisha shkruar më përpara. Nesër, të dielën, ai do të botohet në “Zërin e popullit”.
***
E merkur, 21 shkurt 1979
Ngjarjet në Lindjen e Mesme nuk zhvillohen në favor të imperializmit
Ngjarjet në pellgun e Lindjes së Mesme e në Iran, natyrisht, nuk po zhvillohen në favor të Shteteve të Bashkuara dhe as të imperializmit botëror. Në këtë situatë, në rast të një konflikti. Bashkimi Sovjetik, që është në kufi me Iranin, qëndron i gatshëm për ta mbuluar Iranin shpejt. Por aktualisht, ai vepron në mënyrë subversive, nëpërmjet forcave të mëdha të partisë “Tudeh”, të azerbajxhanasve dhe të kurdëve, sido që Mullah Barzani, tash nuk ndodhet më në Irak, por në Shtetet e Bashkuara.
Qenia e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na lë të kuptojmë se këto, gjithashtu, kanë vënë në lëvizje faktorin kurd brenda në Iran, si kundërpeshë e subversionit sovjetik nëpërmjet Azerbajxhanit. Në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dërguar Braunin, sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, i cili po bredh shtet më shtet për të rregulluar diçka dhe kjo diçka është një rezistencë efikase e qarqeve borgjeze sunduese kundër kryengritjeve popullore që mund të ndodhin në vendet e Lindjes së Mesme, siç ngjau në Iran, ose për të marrë angazhime nga Emiratet dhe vendet e tjera arabe, për t’i rezistuar eventualisht një kërcënimi sovjetik.
Po ashtu, shohim që Karteri ka thirrur përsëri në Uashington Moshe Dajanin dhe kryeministrin egjiptian, për të vazhduar në Kemp Dejvid bisedimet mbi nënshkrimin e marrëveshjes së paqes. Aktualisht Izraeli është në rrezik. Ajatollah Khomeini ka deklaruar haptazi se do të mbrojë palestinezët në luftën e tyre kundër Izraelit. Ai mbylli ambasadën izraelite në Teheran dhe i dëboi diplomatët izraelitë, nga Irani. Izraelit iu pre nafta që merrte nga shahu i Iranit, tash i duhet ta marrë atë gjetkë.
Në këto kushte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e detyrojnë Izraelin që të përfundojë një marrëveshje me Egjiptin, me fjalë të tjera të mos hedhë më vickla, por të pranojë kushtet që ka vënë Karteri për një marrëveshje të tillë. Duke parë këtë situatë kaq të rrezikshme në Iran, në Gjirin Persik dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në lëvizje agjenturën e CIA-s. Ato e shohin se rreziku sovjetik mund t’u vijë edhe nga Irani, edhe nga Iraku, mund t’u vijë edhe nga Siria, po ashtu edhe nga Jemeni i Jugut që kapërcen shkretëtirën e Khailit dhe del në Oman e bashkohet me ndonjë grusht shteti palestinez në Kuvajt.
Po të ndodhë kjo, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e humbasin të gjithë pozicionin strategjiko-ekonomik të naftës në Lindjen e Mesme dhe në Iran. Sot dëgjova se Ajatollah Khomeini, i ka ndaluar demonstratat me tendencë marksiste-leniniste, në universitetet e vendit. Këtej kuptohet se atje, aktualisht, janë vënë në lëvizje forcat e majta, sigurisht partia “Tudeh”, por edhe forca marksiste-leniniste. Ka mundësi që edhe Partia Komuniste e Punëtorëve dhe e Fshatarëve iranianë, që njihet edhe me emrin “Tufan”, ose ndonjë parti tjetër që nuk dimë se ç’është, të ketë njerëzit e vet në ngjarjet e kohëve të fundit.
Sidoqoftë atje po ngrihen në lëvizje grupe që mbështetin një situatë akoma më revolucionare dhe jo frymën islamike që kërkon t’i japë reaksioni botëror revolucionit në Iran. Do të shohim se si do të zhvillohet gjendja në Iran, por tash ajo nuk është e qetë dhe, natyrisht, do të ketë zhvillime. Ne bëmë një artikull për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend, por konstatojmë se agjencitë e lajmeve, që kurdoherë janë treguar të gatshme, duke njoftuar për artikujt tanë, këtë herë për artikullin tonë mbi gjendjen në Iran dhe mbi të ardhmen e revolucionit në këtë vend, nuk po bëjnë fjalë, i kanë vënë kapakun, se nuk u intereson.
***
E enjte, 8 mars 1979
Për gjendjen në Iran
Sipas informatave që na vijnë dhe njoftimeve të agjencive të lajmeve, të cilat i ndjek vazhdimisht, duket qartë se revolucioni iranian, pavarësisht nga parullat islamike që përdoren e se gjoja në të mbizotëron fryma fetare, është një revolucion popullor antifeudal e antiimperialist. Khomeini, që del si udhëheqësi kryesor i kryengritjes, duket është kryetar i partisë islamike, e cila duhet të jetë partia më e madhe në vend. Këtë gjë e konstatuam që kur filluan demonstratat kundër regjimit të Shahut, me fjalë të tjera që kur filloi kryengritja.
Edhe në televizion e nëpër gazeta shikonim e lexonim që Khomeini paraqitej si udhëheqësi shpirtëror i masave në revoltat kundër Shahut. Tash po del se Khomeini bashkëpunon edhe me partitë e tjera demokratike, që kanë pasur si qëllim përmbysjen e monarkisë feudale e të qeverisë së saj dhe është për vendosjen e demokracisë.
Del se Khomeini është edhe kundër ndërhyrjes së huaj. Në revolucionin iranian, nga sa u duk e siç thonë edhe agjencitë e ndryshme të lajmeve, rolin kryesor e kanë luajtur partia islamike, partia e muxhahidinëve dhe partia -,që mund të jetë e mund edhe të mos jetë e vërtetë. Por ka mundësi që maoistët, në bashkëpunim me Shahun, të kenë krijuar një fraksion të tillë, i cili, sa kohë që shahu ishte në fuqi, qëndronte në përkrahje e në mbrojtje të tij, kurse tash që ai ra, mund të ketë dalë më vete. Fidainjtë dukët janë komandot e partisë së muxhahidinëve, disa nga të cilët janë stërvitur në kampet e huaja. Duke parë influencën që ka kjo parti në popull dhe forcën e saj, Khomeini bashkëpunon me të dhe ai vetë dha urdhër të liroheshin nga burgu mijëra luftëtarë të burgosur nga regjimi i Shahut. Partia “Tudeh” që quhet parti komuniste, është e lidhur me Bashkimin Sovjetik. Kjo zë vendin e tretë në mes partive të tjera. Pas përfundimit të kryengritjes, të dyja këto parti nuk pranuan t’i dorëzonin armët, por Khomeini i kërcënoi se do t’i shtypte me anën e forcës dhe, me sa duket, ato u detyruan të përkrahin politikën e tij.
Thuhet se ambasadori sovjetik në Iran, i kërkoi qeverisë iraniane t’i jepte liri të plotë kësaj partie, partisë “Tudeh”, po atij iu bë e qartë se ajo duhet të veprojë njëlloj si të gjitha partitë e tjera. Tashti kjo parti kërkon që, me rastin e zgjedhjeve të reja, të ketë dhe ajo dy përfaqësues të saj në qeveri. Duke ndjekur me vëmendje njoftimet dhe lajmet e agjencive të huaja mbi ngjarjet në Iran, mund të arrijmë në konkluzionin që revolucioni lranian synon t’u japë liri demokratike masave dhe do që t’i japë fund ndërhyrjes së huaj në Iran.
Megjithatë, se sa do të realizohet një gjë e tillë, do ta shohim nga zhvillimi i ngjarjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, shtetet kapitaliste e vendet me regjime reaksionare të Lindjes së Mesme janë shumë të shqetësuara nga gjendja në Iran. Shtetet e Bashkuara u detyruan ta njohin regjimin e ri të Iranit, por ato, me agjentët e tyre, po përpiqen të organizojnë komplote, të frenojnë hovin revolucionar të popullit iranian;• ta frikësojnë atë e ta ndalin në rrugën që ai po ndjek. Edhe regjimi reaksionar i Arabisë Saudite është shumë i shqetësuar nga .gjendja në Iran, mbasi e njëjta shtypje dhe shfrytëzim feudal si në Iran ekziston edhe në këtë vend.
Me siguri në mos sot, nesër i njëjti fat e pret edhe regjimin reaksionar të këtij vendi. Flitet se pas referendumit për shpalljen e republikës e disa masave të tjera, Khomeini do të kërkojë edhe largimin e bazave amerikane nga Irani. Flitet se amerikanët duan që këto baza t’i transferojnë në ishullin Kreta të Greqisë. Edhe këtë do ta shikojmë sa do të realizohet. Një gjë është e sigurt: Sot Karteri vete në Egjipt dhe prej këtej do të shkojë në Izrael. Vajtja e tij në këto dy vende, ka lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së “paqes” në mes Egjiptit dhe Izraelit. Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ua kanë vënë këmbët në një këpucë të dy këtyre satelitëve. Me Shtetet e Bashkuara këto dy vende, mund të kenë edhe marrëveshje të tjera sekrete dhe jo vetëm për marrje armësh. Sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Braun, që ka qenë me javë të tëra në këtë rajon, tok edhe me krerët e Arabisë Saudite, mund të ketë kurdisur ndonjë marrëveshje të fshehtë. Pra, me disa vende të kësaj zone, ka mundësi të krijohet një bllok xhandarësh kundër Sirisë, Irakut e Iranit, të cilët shprehen kundër Sadatit e Izraelit.
Siria dhe Iraku kanë edhe mbështetjen dhe përkrahjen e sovjetikëve, nga të cilët blejnë edhe armë. Khomeini deri tash, thotë se Bashkimi Sovjetik nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Iranit, por qëndrimi i tij, është akoma i papërcaktuar. Ta shohim se çfarë qëndrimi do të mbajë më vonë. Sidoqoftë në pellgun e naftës në Lindjen e Mesme, nuk ekziston më ajo statukuo aq shumë e dëshiruar nga amerikanët. Këtë statukuo e prishi rrëzimi i shahut Muhamed Pahlevi dhe i monarkisë së Pahlevëve, që ishte xhandarja e imperializmit amerikan në gjithë këtë zonë. Sipas lajmeve që kemi nga ambasadat, artikulli që bëmë për Iranin e që u botua në gazetën “Zëri i popullit” në datën 18 shkurt, ka jehonë në vendet arabe e aprovohet plotësisht. Nuk dimë në ka mundur të depërtojë edhe deri në Iran.
***
E hënë, 2 prill 1979
Irani u shpall republikë
Dje në Teheran, u shpallën rezultatet e referendumit kombëtar për kalimin e vendit nga Monarkia në Republikë. 95 për qind e Votuesve, votuan për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit. Me këtë rast, Ajatollah Khomeini mbajti një fjalim, gjatë të cilit theksoi se referendumi kombëtar dhe votimi për shpalljen e republikës, i dhanë fund sundimit monarkik në Iran. Kjo është një fitore tjetër e madhe e luftës së popullit iranian për çlirim shoqëror dhe për shkëputje nga influenca e imperialistëve. Ngjarjet atje po ecin përpara dhe në rrugë pozitive. /Memorie.al/